Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), mbajti sot konferencë për media gjatë së cilës u paraqiten propozimet konkrete të KDI-së për institucionet, në lidhje me hapat që duhet të ndërmerren në luftën kundër korrupsionit.

Me këtë rast Diana Metushi-Krasniqi nga KDI/TIK ka theksuar se sa i përket çështjes së korrupsionit dhe luftimit të kësaj dukurie, shteti i Kosovës po shfaq një lloj mosinteresimi karshi kësaj çështje dhe ndërmarrjes së hapave konkret në këtë drejtim. “Të gjithë jemi dëshmitar të korrupsionit dhe mungesës së veprimeve konkrete të shtetit në luftën kundër korrupsionit. Ka vite që qytetarët nuk dëgjojnë asgjë më shumë se ‘korruspioni do të luftohet’ apo ‘ne jemi duke e luftuar korrupsionin’ e edhe ‘kemi ndërmarr të gjitha veprimet në luftën kundër korrupsionit’. Megjithatë kur shikon konkretisht se cfarë është bërë për ta luftuar korrupsionin, sheh se shteti ynë duke disi i pa interesuar në këtë çështje kaq të rëndësishme”, ka shtuar ajo, duke theksuar faktin që kjo çështje mbetet edhe një kriter për liberalizimin e vizave.

Kurse Florent Spahija nga KDI/TIK ka prezantuar pikat të cilat KDI propozon, që Institucionet e Kosovës duhet të fokusohen që të arrijnë rezutatet konkrete në luftën kundër korrupsioni si në vijim:

Përfundimi sa më i shpejtë i rasteve të mëdha si Rasti Stenta, Rasti i ish kryetarit të Lipjanit Shukri Buja, Rasti i ish kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku, Arben Gjuka drejtor i KEK-ut dhe ish kryesuesit të OShP-së Hysni Hoxha etj., Rasti Toka (Azem Syla etj). Gjykata Themelore në Prishtinë si më e madhja në vend ka shumicën e rasteve të shënjestruara përfshi edhe këto raste. Raporti i progresit për Kosovën për vitin e kaluar ka vendos si obligim që këto raste duhet të gjykohen dhe të përfundohen që Kosova të shënoj progres në luftën kundër korrupsionit. Përfundimi i këtyre lëndëve njëherit është edhe kriter për liberalizimin e vizave. Gjykatat duhet të ju japin prioritet këtyre rasteve dhe në afat sa më të shpejtë të përfundojnë gjykimet. KGjK duhet jetë e gatshme të ndihmoj gjykatat dhe të plotësoj çdo kërkesë që ato kanë në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përfundimi i këtyre rasteve është edhe respektim i të drejtave të të akuzuarve në këto raste, gjykimi i drejtë dhe në kohë të arsyeshme. KGjK në bashkëpunim me gjykatat duhet të i mundësoj publikut, mediave dhe shoqërisë civile qasjen në këto gjykime për monitorim dhe përcjellje të tyre.

Veprime të menjëhershme nga Prokuroria e Shtetit, në fillimin e hetimeve apo përfundimin e hetimeve në rastet ku dyshohet për korrupsion si ndërtimi i Autostradave, Shitja e KEK-ut, pagesa e penalltive prej 60 milion euro për Bectel & Enka, dështimi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, privatizimet e ndërmarrjeve publike nga Agjencioni i Privatizimit të Kosovës, etj. Ndjekja penale dhe gjykimi i njerëzve të pushtetshëm të cilët dyshohen për korrupsion dhe krim të organizuar duhet të jetë prioritet i Prokurorit të Shtetit. Përfundimi i hetimeve dhe mbledhja e provave në mënyrë profesionale si dhe dërgimi para gjykatës së këtyre rasteve do të ndikonte pozitivisht dhe në rritjen e besimit të qytetarëve në luftën kundër korrupsionit dhe rastet e raportuara nga qytetarët për korrupsion e krim të organizuar do të rriteshin.

Prokuroria e Shtetit duhet të kujdeset që të sekuestroi sa më shumë pasuri nga personat që janë të dyshuar për korrupsion e Gjykata pasi që të shpall aktgjykimet nëse i gjen fajtor, atëherë të konfiskoj sa më shumë pasuri të fituar me vepër penale. Konfiskimi i pasurisë është përmendur si dështim i vazhdueshëm i Kosovës në Raportin e Progresit.

Dekriminalizimi i policisë dhe vendosje para përgjegjësisë të të gjithë zyrtarëve policorë të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar, me një transparencë të shtuar rasteve të cilat janë bërë publike në media.

Detyrimin e subjekteve politike që të paraqesin raportet profesionale me të dhëna të sakta në lidhje me financimin e tyre dhe shpenzimet gjatë fushatave zgjedhore si dhe kontrolle të rrepta në deklarimet të cilat i paraqesin ato.

Detyrimin e ndërmarrjeve publike të nivelit qendror e lokal që të jenë transparente dhe llogaridhënëse para publikut. Depolitizimin e të gjitha bordeve të këtyre ndërmarrjeve publike.

Mbylljen ose bashkimin e disa agjencioneve të pavarura të cilat nuk kanë kurrfarë funksione, pos harxhimin e parasë publike dhe mundësin për korrupsion.

Kuvendi i Kosovës duhet të kujdeset që të depolitizohet institucioni i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP-së) si dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP-së) sipas rekomandimeve të dala nga Raporti i Progresit për Kosovën. Kuvendi i Kosovës ka për obligim që të zgjedhë sa më shpejtë t anëtarët e OShP-së, pasi që për një kohë të gjatë OShP vepron me tre anëtar nga pesë që duhet të ketë. Mungesa e zgjedhjes së anëtarëve të OShP-së ka ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin normal të kësaj gjykate të tenderëve, kjo pasi të gjitha vendimet tash merren nga vetëm këta tre anëtar. Kuvendi i Kosovës, konform procedurave ligjore duhet të zgjedhë profesionist të pavarur dhe jo politik për këto dy pozita.

Institucionet shtetërore duhet të filloi procesin e vetingut për të gjithë zyrtarët e prokurimit në të gjitha autoritetet kontraktuese që shpenzojnë para publike. Të gjeturat nga vetingu të jenë prova për Prokurorin e Shtetit që të filloi procedurën penale kundrejt personave nuk e kalojnë vetingun.

Zyra Kombëtare e Auditorit duhet të obligohet që ‘ex-officio’ të i paraqes para Prokurorit të Shtetit të gjitha rastet e shkeljeve të cilat gjenden nga auditorët gjatë auditimit të institucioneve shtetërore. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës në këtë rast duhet të veprojnë shpejtë në propozimin përkatësisht miratimin e rregullave të reja që do ta obligonin ZAK-në në çështjen e paraqitjes së kallëzimeve penale për personat të cilët kanë bërë shkelje gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Kodi Penal i Kosovës duhet të parasheh si vepër penale humbjen e parasë dhe pronës publike me qëllime të përfitimit privat të zyrtarëve publik.

Organi Shqyrtues i Prokurimit duhet të obligohet që të gjitha shkeljet të cilat i gjejnë gjatë ekzaminimit dhe vendosjes së tenderëve të ndryshëm nga autoritetet kontraktuese apo palët në procedurë, që automatikisht me kallëzim penal së bashku me provat ta paraqesin çështjen në Prokurorinë e Shtetit.

Hapja e të gjitha kontratave dhe pagesave që realizohen me para publike. Lejim i kontrollit të rreptë në procedurat tenderuese duke ndryshuar qasjen e vlerësimit të ofertave.

Lehtësim i qasjes në informata për gazetar/shoqëri civile dhe qytetarët e interesuar.

Dhe e fundit, ftojmë Agjencinë Kundër Korrupsionit që të mos bëjë propozime për mbyllje të pjesshme të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë, por të merret me forcimin e mekanizmave për verifikimin e pasurisë së deklaruar dhe nxjerrjen e provave materiale për prokurorinë e shtetit./Lajmi.net/