Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se sot janë regjistruar vetëm dy raste pozitive me virusin korona në këtë komunë dhe jo gjashtë ashtu siç thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, raporton Llapi.info.
Sipas njoftimit të Komunës, katër punëtorë të Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdoc kanë rezultuar pozitivë, por që të njëjtit nuk janë nga kjo komunë.
“Bazuar në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë̈ Publike të Kosovës, lidhur me rastet e reja me COVID-19, sot në Komunën e Podujevës kemi vetëm dy raste pozitive, e jo gjashtë siç paraqiten ne njoftim. Katër personat tjerë nuk janë nga komuna e Podujevë, por punojnë në Podujevë, përkatësisht në burgun e sigurisë së lartë në Gerdoc”, thuhet në njoftim.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar në 24 orët e fundit 13 persona të vdekur me koronavirus, duke e çuar numrin total të viktimave në 480, raporton Llapi.info.
Të dhënat e së hënës kanë treguar edhe për 99 raste të reja të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas testimit të 406 mostrave./Llapi.info





