Katër anëtarë të Kryesisë së Degës së PDK-së në Prizren kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha postet zyrtare të partisë.
Naser Berisha, Shukri Quni, Sherif Krasniqi dhe Hajrim Qengaj përmes një njoftimi kanë bërë të ditur se janë të pakënaqur me menaxhimin e punëve brenda Degës së PDK-së në Prizren, sikurse edhe me fraksionet e krijuara, avancimin e individëve pa merita dhe largimin e veprimtarëve të devotshëm, shkruan sot Koha Ditore.
“Duke vlerësuar gjendjen aktuale brenda PDK-së në Prizren, ne, zëri juaj i qytetarëve, deklarojmë se jemi të pakënaqur me menaxhimin e punëve dhe mbarëvajtjes në përgjithësi të punëve brenda kornizës së Degës së PDK-së, në Prizren. Individë të caktuar, udhëheqës të PDK-së, Dega në Prizren, PDK-në sikur e kanë bërë pronë grupore e personale”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga katër ish-anëtarët e kryesisë së degës. Në vijim, ata kanë numëruar disa arsye, lidhur me vendimin për dorëheqjet.
Aktualisht Shukri Quni është këshilltar i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit. Ai ka konfirmuar dorëheqjen nga postet në Degën e PDK-së, ndërkohë që ka pohuar se do ta shqyrtojë mundësinë për të qëndruar ose jo në Grupin e këshilltarëve të kësaj partie.