Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në fshatin Mirosalë në Ferizaj, ku një polic është kanosur seriozisht nga një person.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari i kishte shkuar zyrtarit policor te shtëpia e tij dhe për motive akoma të panjohura është futur në konflikt me të e më pas e ka kërcënuar me vrasje.

Sinjali mëson se Policia është njoftuar menjëherë për rastin, ndërkohë që zyrtari policor që është viktimë e rastit ka dhënë deklaratën e tij për incidentin që kishte ndodhur.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari akoma nuk ka rënë në prangat e Policisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale ‘Kanosje’, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit.