Kryeparalamentari Kadri Veseli, njëherit edhe kreu i PDK-së, ka bërë të ditur se javën që vjen do të nisë një iniciativë që ka të bëjë me pastrimin e listave të veteranëve.
Veseli përmes një konference për media ka njoftuar se grupi parlamentar i PDK-së do të iniciojë krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e listave të veteranëve të luftës.
“Javën që vjen PDK-ja do të nisë një tjetër iniciative legjitime, lidhur me statusin e veteranëve të luftës për të cilët ka dyshime se janë pa merita”.
“Duhet ta pranojmë faktin se jo pak njerëz në nivele të larta edhe nga UÇK-ja, kanë abuzuar dhe po abuzojnë me fuqinë e tyre. Kjo duhet të marrë fund. Këta kanë dëmtuar më së shumti reputacionin e UÇK-së”.
“Grupi parlamentar i PDK-së javën e ardhshme do të iniciojë krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar që do të hetojnë dyshimet për mashtrimet në listat e veteranëve”.
“Do të kërkohet të dorëzohet lista me të dhënat e pranimit ose të refuzimit të deritashëm për statusin, kriteret e përzgjedhjes si dhe numri i ushtarëve në njësi dhe zona operative. Do të ketë ballafaqim me fakte ashtu siç do të ballafaqohen listat tradicionale që kanë pasur organizatat e luftëtarëve në fazën e rekrutimit të brendshëm dhe çfarëdolloj fryrje që ka pasur më pas”.
Veseli tha se Komisioni Hetimor në fund do të përpilojë një raport përfundimtar, i cili do të bëhet publik.
Ai gjithashtu tha se krahas kësaj iniciative do te punojnë edhe në ndryshimet e duhura në Ligjin aktual për veteranët e luftës së UÇK-së, do të specifikohen dhe theksohen qartë të drejtat dhe privilegjet si dhe do të punohet ne Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës.