Diplomati shumë vjeçar i Austrisë i cili bashkë me të deleguarin e Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, mori pjesë në negociatat për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka ndërruar jetë.
“Austria ka humbur njërin nga diplomatët më profesionistë. Për Ministrinë dhe mua personalisht, vdekja e Rohanit paraqet humbjen e njërit nga shëmbëlltyrat e mëdha”, theksoi shefi i diplomacisë austriake, Aleksandër Shalenberg, transmeton Koha.net.
Rohan, si një diplomat i përsosur, në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe funksioneve të shumta ndërkombëtare, ishte pjesë e formësimit të politikës së jashtme të Austrisë.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme theksohet se qysh në vitet e 90’ta, ai mori pjesë në formësimin e politikave ndaj Ballkanit me qëllim të vendosjes së paqes dhe zhvillimit të perspektivës evropiane për këtë rajon me shumë rëndësi për Austrinë.
Rohan, në shërbimin diplomatik në Austri hyri më 1963 ndërsa fillimisht shërbeu në Ambasadat e Austrisë në Londër dhe Beograd.
Më 1977 emërohet shef i kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kurt Waldheim, në New York.
Pastaj, ishte ambasador në Buenos Aires dhe vende tjera, kure më 1996 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Më 2006, ai bashkë me Ahtisaarin, zhvilloi negociatat në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës.
Rohan vjen nga një familje fisnike që kishte lidhje me familjen mbretërore shqiptare.
Koha.net rikujton se diplomati austriak Albert Rohan ishte një mik e dashamirës i Kosovës që nuk do të harrohet.