Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e të dyshuarit kryesor për vrasjen e 34 vjeçarit, Valmir Breznica, të hënën në njërin nga marketet e Podujevës.

Ani se deri më tani nuk është bërë publik identiteti i tij, ekipet hetuese dhe ekspertë të hetimeve të krimeve të rënda kanë arritur t’i gjurmojnë të gjitha lëvizjet e personit të dyshuar, me ditë të tëra para se i njëjti ta kryente krimin që traumatizoi Podujevën.

Nga kontrollet e detajuara të bëra nëpër shumë pjesë të qytetit, duke përfshirë kamera të sigurisë të bizneseve nëpër qendër të qytetit, vërtetohet se personi i dyshuar nuk kishte qenë në Podujevë vetëm gjatë ditës kur e kreu vrasjen.

Ekipet hetuese kanë rënë në gjurmë që personi në fjalë ka qëndruar në pjesë të ndryshme të Podujevës, të paktën gjashtë ditë rresht, deri në ditën kritike.

Policia ka intervistuar disa nga pronarët e kafiterive në qendër të qytetit, të cilët përmes dhënies së kamerave të sigurisë brenda lokaleve – që e vërtetojnë hyrjen dhe daljen e të dyshuarit brenda tyre – për disa ditë radhazi, gjithashtu janë intervistuar mbi gjithçka që kanë mundur të nxjerrin me qëllim identifikimin e tij.

Sipas burimeve të Llapi Info, e të konfirmuara edhe nga disa biznese llapjane, personi në fjalë ka folur vazhdimisht në gjuhën shqipe – në porositë e marra nëpër kafiteritë e qytetit.

Mirëpo, deri më tani, zyrtarisht Policia e Kosovës, nuk ka arritur ta bëjë identifikimin e personit të dyshuarit në fjalë (emrin, vendbanimin apo diçka të ngjashme).

Për këtë ata kanë kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për të rënë në gjurmë të tij.

Në një komunikatë për media, Policia ka publikuar fotografinë e personit, duke kërkuar nga kushdo që posedon informacione për të, të kontaktojë në numrin e telefonit policor; 192.

Komunikata e plotë;

Kërkesë për bashkëpunim për identifikimin e personit të dyshuar

Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit të dyshuar.

I dyshuari, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 11.09.2023, në Podujevë.

Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.