Cristiano Ronaldo e mori vëmendjen në mediat italiane vikendin e kaluar, pasi e ndihmoi Juventusin të arrijë një tjetër rekord në këtë edicion.
Sulmuesi e shndërroi në gol penalltinë ndaj Torinos për golin e 5000-të të ‘bianconerëve’ në Serie A.
Kësaj radhe, portugezi me shokët e tij të skuadrës, do të jenë nikoqir të Romës, të shtunën në ora 20:30, transmeton KTV.
15 fitore dhe një barazim është bilanci deri tani në Itali për Juven, që i bashkohet me këtë të arritur Cityt, Barcelonës e Tottenhamit, me vazhdimësinë më të mirë në ndeshjen hapëse në top 5 ligat evropiane.
Trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco, lojtarët e tij dhe hierarkia e klubit u kritikuan shumë nga tifozët edhe në vikendin e kaluar kur Roma fitoi 3:2 ndaj Genoas, që ishte triumfi i parë pas gjashtë ndeshjeve. Ekipi nga kryeqyteti italian udhëton te lideri me distancën e 22 pikëve.
“Giallorossët” kanë fituar vetëm dy nga tetë ndeshjet e fundit në ligë, ndërsa janë mposhtur në të gjitha shtatë vizitat e fundit në stadiumin e Juventusit.
Për shkak se vikendin e kaluar ishte i suspenduar, Rodrigo Bentancur do të jetë i gatshëm për urdhrat e Allegrit, derisa Joao Cancelo, Juan Cuadrado dhe Andrea Barzagli pritet të mungojnë.
Edhe te Roma ka dyshime për mungesa dhe ata janë sulmuesi i rrezikshëm Edin Xheko si dhe mesfushori me përvojë të madhe në elitën e futbollit italian, Daniele De Rossi.
Në takimet tjera që zhvillohen në ora 15:00 të shtunën, Napoli i vendit të dytë e pret SPAL-in, Interi udhëton te Chievo, kurse Milani pritet të ketë punë më të vështirë pasi luan me Fiorentinën.