Lokale - eSIMy

Justina Shiroka Pula është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota të deputetëve, duke siguruar mbështetjen e nevojshme që në rundin e parë të votimit.

Me këtë rezultat, Shiroka Pula është bërë presidentja e Kosovës e zgjedhur me numrin më të madh të votave në Kuvend.

Deri më tani, rekordin e mbanin Fatmir Sejdiu, i cili në vitin 2006 ishte zgjedhur me 80 vota, dhe Atifete Jahjaga, e zgjedhur po me 80 vota në vitin 2011.

Shiroka Pula e ka kaluar këtë shifër me një votë.

Në votimin e mbajtur në Kuvend, Shiroka Pula mori 81 vota, kundërkandidatja Eliza Hoxha mori një votë, ndërsa dy fletëvotime u shpallën të pavlefshme.

Ibrahim Rugova – 2004

Rugova u rizgjodh president në dhjetor të vitit 2004. Pas dështimit për të siguruar shumicën e nevojshme në dy rundet e para, ai u zgjodh në rundin e tretë me 64 vota.

Fatmir Sejdiu – 2006

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, Kuvendi zgjodhi Fatmir Sejdiun president.

Sejdiu mori 78 vota në rundin e parë dhe 77 në të dytin, ndërsa në rundin e tretë u zgjodh me 80 vota.

Fatmir Sejdiu – 2008

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Sejdiu iu nënshtrua edhe një herë votimit në Kuvend.

Ai mori 62 vota në rundin e parë, 61 në të dytin dhe u zgjodh në rundin e tretë me 68 vota.

Behgjet Pacolli – 2011

Në shkurt të vitit 2011, Behgjet Pacolli u zgjodh president pas tri rundesh votimi.

Pacolli mori 54 vota në rundin e parë, 58 në të dytin dhe 62 vota në rundin e tretë.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese më pas konstatoi se procedura e zgjedhjes së tij kishte qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Atifete Jahjaga – 2011

Pas marrëveshjes politike mes partive kryesore, Atifete Jahjaga u propozua si kandidate konsensuale.

Ajo u zgjodh me 80 vota, duke e siguruar postin që në rundin e parë.

Hashim Thaçi – 2016

Hashim Thaçi u zgjodh president në shkurt të vitit 2016 pas tri rundesh votimi.

Ai mori 50 vota në rundin e parë, 64 në të dytin dhe 71 vota në rundin e tretë, me të cilat u zgjodh president.

Vjosa Osmani – 2021

Edhe Vjosa Osmani u zgjodh pas tri rundesh.

Ajo mori 69 vota në rundin e parë, 67 në të dytin dhe në rundin e tretë u zgjodh Presidente e Kosovës me 71 vota.

Justina Shiroka Pula – 2026

Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente më 6 tetor 2026.

Në votimin e fshehtë në Kuvend, ajo mori 81 vota, Eliza Hoxha një votë, ndërsa dy fletëvotime ishin të pavlefshme.

Me 81 vota, Shiroka Pula është presidentja e Kosovës që ka marrë më së shumti vota në Kuvend në votimin në të cilin është zgjedhur presidente.