Shtatë gazetarë të Klan Kosovës, të cilët kanë punuar në portalin e këtij mediumi, kanë lëshuar punën.
Në një njoftim të përbashkët, gazetarët kanë treguar se përkundër kërkesave për kompensim të punës shtesë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, shkruan Gazeta Politika.
“Jo punë shtesë, pa pagesë” – thuhet në reagimin e këtij grupi të gazetarëve të portalit të Klan Kosovës, që përbëhet nga Genita Ukaj, Lendita Elshani, Lum Gashi, Albina Haxholli, Albert Bajrami, Endrit Krasniqi, Kasim Gerbeshi.
Postimi i plotë:
JO PUNË SHTESË, PA PAGESË!
Sot, të shtatë gazetarët e stafit të portalit Klan Kosova u detyruam bashkërisht të japim dorëheqje, si pasojë e mospërfilljes së kërkesës sonë për kompensim shtesë për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm në mbulimin dhe raportimin e formatit Big Brother VIP Kosova.
Ky ishte një qëndrim i përbashkët i një ekipi të tërë, i cili kërkoi që puna shtesë të vlerësohet dhe të kompensohet në mënyrë të drejtë.
Unë, Genita Ukaj, tashmë në prag të muajit të pestë të shtatzënisë, u detyrova që në këtë periudhë kaq të ndjeshme të jetës sime të largohem dhe të mbetem e papunë, për të mos lejuar që dinjiteti im të shkelet.
Bashkë me mua, këtë qëndrim e mbajtën edhe kolegët e mi, Lendita Elshani, Albina Haxholli, Lum A. Gashi, Albert B. Bajrami, Kasim Gerbeshi dhe Endrit Krasniqi.
Shtatë gazetarë të portalit u detyruam të largohemi nga Klan Kosova, sepse nuk pranuam që angazhimi ynë të shtohej pa një vlerësim dhe kompensim të drejtë.
Qëndrimin tonë për këtë çështje ia kemi bërë të ditur udhëheqëses së portalit shumë javë më parë. Megjithatë, shqetësimet tona nuk u morën parasysh, ashtu siç, fatkeqësisht, nuk u morën parasysh as shumë kërkesa të tjera të ngritura më herët.
Ne nuk pranuam!
Nuk pranuam të heshtim përballë asaj që e konsiderojmë të padrejtë.
Nuk pranuam që zëri ynë të shpërfillet, kërkesat tona të injorohen dhe puna dhe presioni të shtohen pa u vlerësuar dhe pa u kompenzuar!
Dinjiteti ynë nuk është i negociueshëm!






