Prokuroria ka kërkuar të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit dy të akuzuarit Bujar Shahini dhe Jeton Nuredini, ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar lirimin e tyre.

Këto deklarime janë dhënë të hënën në Gjykatën Themelore të Ferizajt ku është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku i akuzuari Bujar Shahini po ngarkohet se i shkaktoi lëndim të rëndë trupor A.L, person me aftësi të veçanta, ku si pasojë kishte ndërruar jetë.

Ndërsa, i akuzuari Jeton Nuredini po ngarkohet se edhe pse ishte në dijeni për ndodhinë, nuk kishte paraqitur rastin në polici, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Rasim Maloku fjalën përfundimtare tha se e ka përgatitur në formë të shkruar të njëjtën e dorëzoi në kopje të mjaftueshme në këtë seancë, i njëjti tha se pas administrimit të provave është vërtetuar gjendja faktike si në aktakuzën e prokurorisë, andaj gjykatës i propozoi që ndaj të akuzuarve të shpallë aktgjykim dënues.

Po ashtu, përfaqësuesja e palëve të dëmtuara, avokatja Fehmie Gashi dorëzoi fjalën përfundimtare të përgatitur me shkrim, ndërsa në elaborimin e saj tha se përkrah fjalën e prokurorit dhe se propozon gjykatës që të akuzuarit të dënohen sipas ligjit.

“Veprimet e të akuzuarve si; largimi nga vendi, braktisja e tani të ndjerit në spital etj. kanë qenë veprime të patolerueshme, poashtu sa i përket tani të ndjerit, i njëjti edhe pse ka pas dukje të personit me aftësi të kufizuara sipas prindit të tij, ai ishte i qetë nuk ka qenë i dhunshëm asnjëherë, andaj kërkoj nga gjykata që të akuzuarve të mos u falet besimi i deklaratave të tyre dhe të dënohen sipas ligjit”, ka thënë avokatja Gashi.

Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Shahini, avokati Avni Ibrahimi tha se mbrojtja konsideron se nga provat e administruara, dëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar pafajësia e të akuzuarit Bujar Shahini, i njëjti gjykatës i propozoi që ndaj të akuzuarit Bujar Shahini të shpall aktgjykim lirues. Ndërsa dorëzoi fjalën përfundimtare në formë të shkruar.

Po ashtu, mbrojtësja e të akuzuarit Jeton Nuredini, avokatja Zejnepe Zenuni dorëzoi fjalën përfundimtare në formë të shkruar, e njëjta tha se nga shqyrtimet gjyqësore dhe administrimi i provave është vërtetuar se i akuzuari Nuredini është i pafajshëm, andaj gjykatës i propozoi që i njëjti të lirohet nga akuza për çka është ngarkuar.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 26 maj 2022.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bujar Shahini, po akuzohet se më 21 shkurt 2021, rreth orës 15:14, në parkingun e pompës së derivateve të naftës “Hib Petrol”, në fshatin Bibaj, Komuna Ferizaj, me dashje i kishte shkaktuar lëndim të rëndë trupor A.L, person me aftësi të veçanta.

Në akuzë thuhet se tani i ndjeri A., ishte në parkingun e “Hib Petrol”, duke biseduar me Osman Osmanin, kurse i pandehuri duke lëvizur me motoçikletën e markës “Yamaha”, atëherë tani i ndjeri e kishte fyer me fjalë duke ia sharë nënën, e pastaj ishte nisur në drejtim të aparateve për mbushje me derivate.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri ishte kthyer me motoçikletë në të njëjtin drejtim dhe ishte ndalur afër tani të ndjerit, i cili ishte ofruar afër motoçikletës duke e ngritur dorën lartë, kurse i pandehuri kishte zbritur nga motoçikleta dhe e kishte goditur me grusht në pjesën e fytyrës, nga e cila goditje tani i ndjeri ishte rrëzuar në shpinë duke u përplasur me pjesën e pasme të kokës në beton, ku kishte pësuar lëndime të rënda trupore – frakturë e bazës së kafkës dhe majtas deri në orbitë, të cilat lëndime shkaktojnë gjakderdhje të brendshme në tru.

Me këtë rast, thuhet se i njëjti transferohet në Qendrën Emergjente të QKUK-së në Prishtinë, ku ndërron jetë në ora 00:44 minuta.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga nen 186, par.5 lidhur me par.2, nënpar.2.1 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri Jeton Nuredini po akuzohet se më 21 shkurt 2021, në Ferizaj nuk e kishte lajmëruar kryesin e veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”, edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e tij.

Aktakuza thotë se derisa kishte qenë së bashku me shokun e tij, të pandehurin Bujar Shahini para pikës së derivateve “Hip Petrol” në fshatin Bibaj, i pandehuri Shahini e kishte goditur me grusht në kokë të dëmtuarin A.L, siç përshkruhet në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, atëherë i pandehuri Nuredini së bashku me të pandehurin Shahini, e dërgojnë të dëmtuarin me veturë deri në QMF-2 në Ferizaj, pa dhënë informacione për identitetin e tyre, me arsyetimin se të dëmtuarin e kanë gjetur në rrugë, pastaj i pandehuri me veturën e tij e kishte dërguar të pandehurin Bujar në shtëpinë e tij në fshatin Bibaj, kurse vet ishte thyer në shtëpi pa e paraqitur rastin në Stacionin Policor në Ferizaj, kurse i pandehuri Bujar, pastaj largohet nga Kosova.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga nen 378, par.1 nënpar.1.3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.