Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në një intervistë për Ekonomia Online, zhvillimet politike në vend i konsideron jo të kënaqshme.

Ai tha se duhet të bëhen bashkë pozitë e opozitë, kur janë në pyetje temat nacionale e sidomos dialogu me Serbinë.

“Zhvillimet politike janë jo të kënaqshme dhe besoj që është dashur na si shtet me qenë shumë më kompakt e sidomos kur kemi tema nacionale”.

“Mendoj që sa më shumë që vonohemi vetëm do të shkaktojmë dëm te ne të gjithë. Sepse duhet të bëhen bashkë pozitë e opozitë sepse janë në pyetje temat nacionale dhe bisedimet me Serbinë”.

Kur foli për pozitën e presidentit dhe mundësin që nga kjo familje të ketë një kandidatë për këtë pozitë ai tha se familja Jashari asnjëherë s’ka kërkuar pozita.

Sipas tij, vetëm populli mund ta bëjnë një propozim të tillë.

“Janë qytetarët dhe populli që mund ta bëjnë një propozim të tillë siç ka ndodhur edhe në rastin tim për kryetar komune, sepse nuk është që dikush nga ne dëshiron të ketë pozita të tilla”

“Pas kërkesës së qytetarëve e kam analizuar dhe e kam vlerësuar që po duhet t’i përgjigjem kësaj kërkese sepse ia kemi borxh dhe obligim me ndërtuar dhe zhvillu këtë vend”.

Tutje, kryetari Jashari foli edhe për Gjykatën Speciale, duke e cilësuar si një rast të veçantë e njëkohësisht të dhimbshëm.

Ai shtoi se është e padrejtë nga ndërkombëtarët që të gjykohen vetëm pjesëtarët e UÇK-së e jo në tersi të gjithë që kanë kryer krime. Jashari tha se do ta përkrahë secilin pjesëtarë të UÇK-së që ftohet nga Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale është një rast i veçantë dhe shumë i dhimbshëm dhe mund të them lirisht se në kohën në të cilën jemi sepse mendoj që është bërë e padrejtë nga bashkësia ndërkombëtare që të gjykohen vetëm ushtarët të UÇK-së e jo në tersi të gjithë akterët që kanë kryer krime që unë nuk besoj që do të ketë ushtarë të UÇK-së që kanë kryer krime të tilla”.

“Pa marrë parasysh se kush do të ftohet sot e tutje dhe këta që janë ftuar deri më sot duhet të bëhemi bashkë dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë drejtim sepse ka qenë një kauzë e përbashkët për çlirimin e vendit dhe duhet ti lëmë ato inate politike personale, individuale që kanë mundur të ndodhin në pasluftën e Kosovës. Dhe unë do i dalë në përkrahje kushdo qoftë pjesëtarë i UÇK-së”.

Ai bëri thirrje që zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ta thërras takimin e radhës, në mënyrë që të diskutohet sa i përket renovimit të kullave të Jasharajve.

Mes tjerash, Jashari theksoi se janë vonuar e stërvonuar në këtë drejtim, sepse kullat dita ditës po dëmtohet, e mund edhe të rrënohen krejtësisht.

“Komiteti ndërministror është aktivizuar, por shpresoj që kryesuesi i këtij komuniteti zëvendëskryeministri i parë Besnik Tahiri të thërras takimin e radhës më shpejt dhe të vazhdojmë tutje”.

“Pse është vonuar është bukur temë e gjatë por shpresojmë që të mos vonohemi më sepse jemi stërvonuar dhe ato objekte dita ditës po bien copa-copa dhe ndoshta një ditë kur të zgjohemi në mëngjes nuk do të shohim asgjë”.