Kryetari i SBASHK-ut, Rrahaman Jasharaj, duke komentuar vendimin për shtyerjen e vitit të ri shkollor, ka thënë se askush nuk duhet të ndihet humbës apo fitues.

Jasharaj ka theksuar se mësimi nuk është shtyrë vetëm në Kosovë por edhe në vendet e rajonit, për shkak të pandemisë.

Kreu u SBASHK-ut theksoi se aktualisht për shumë shkolla nuk ka dezinfektues e as nuk janë përgatitur klasat për mbajtjen e distancës.

“Deri më sot nuk është siguruar në shumë shkolla dezinfektues. Nuk janë përgatitur klasat për respektim të distancës sociale”, u shpreh ai në Debat Plus.

Jasharaj thotë se nëse këto dy javë punohet si duhet nga të gjithë së bashku gjendja për kthim në shkolla do të jetë më e mirë.

“Të gjithë të bëjmë përpjekje që me 14 shtator të fillojë viti i ri shkollor, por të fillojë më mirë se tani”, tha ndër të tjera ai.

Ai shtoi se shtyerja ka ndodhur me shpresë që do të përmirësohet gjendja me koronavirusin.