Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka bërë ditur se që nga shtatori çerdhet, shkollat, pastaj edhe Universitetet por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme, pasi që sipas tyre Qeveria Kurti nuk i ka përfillur kërkesat e sindikatave për dialog dhe se kjo qeveri nuk po i fton sindikatat për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave.

Tutje, ai tha se kërkesat e tyre janë 100 euro shtesë në paga, duke shtuar se me 10 gusht do të mbajnë edhe një mbledhje e jashtëzakonshme me kryesinë e BSPK-së.

Në qoftë se nuk reflekton Qeveria edhe me 1 shtator, Jasharaj theksoi se në vend të nxënësve dhe ziles mësimdhënësit do të jenë në grevë.

“Të gjithë këto angazhime jemi duke i bërë në kuadër të BSPK ku jemi pjesë bashkë me federata tjera. Me 14 kishim takimin e jashtëzakonshëm të BSPK dhe analizuam situatën dhe fatkeqësisht erdhëm në përfundim se as angazhimi ynë i fundit dhe i vetmi që na kishte mbetur pas protestave dhe grevave nuk ka dhënë rezultat ngase qeveria nuk i është përgjigjur as ndërmjetësuesit me çka ka treguar se është kundër dialogut. Edhe në kuadër të BSPK në takimin e këshillit drejtues është marrë vendimi që me 10 gusht të mbahet edhe një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së dhe ky rrugëtimi ynë fatkeqësisht në mungesë të dialogut po na tregon drejt grevave. Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor pra me 24 kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do të kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”, tha ai

“Në qoftëse me 24 dhe me 1 shtator qeveria nuk reflekton atëherë opinioni le ta dijë me 1 shtator startojmë me grevë ku në vend të nxënësve dhe ziles do të kemi mësimdhënës po jo në punë por në grevë dhe do të zgjasë derisa të realizohen kërkesat tona. Vazhdimisht kemi insistuar që qerdhet të mos jenë pjesë e grevave për shkak se po tentohet një pjesë e qytetarëve tanë që nuk kanë faj dhe i kanë fëmijët në këto qerdhe mirëpo ata kanë insistuar dhe nuk mund ti largojmë nga greva. Sa i takon SBASHK-ut me 1 shtator do të kemi grevë në qerdhet e Kosovës në arsimin para universitar, në fillore e të mesme. Nëse zgjat greva deri me 1 tetor do ti kemi edhe Universitet në grevë”, tha Jasharaj.