Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, për rrugën e Podujevës thotë se brenda muajit maj pret të hapen ofertat dhe pas nënshkrimit të kontratave, të fillojnë punimet.

Aliu, në emisionin “Këndi i Debatit” thotë se në këtë muaj janë në fazën e vlerësimit të ofertave dhe shumë shpejtë presin fituesit.

“Jemi në fazën e vlerësimit të ofertave dhe presim shpalljen e fituesve shumë shpejtë. Vetëm presim përgjigje nga OShP-ja, tek ne është një faktor i paparashikueshëm, pra sa herë të kemi një tender, janë disa faktorë të tjerë të cilët nuk varen vetëm nga ne. Pra, ne mund ta procedojmë në prokurim një, por është një autoritet tjetër që është OShP-ja”, tha ai në Tëvë1.

Për projektin e Podujevës, Aliu, thotë se nuk pret zvarritje.

“Nuk pres që do të ketë ndonjë zvarritje të stërmadhe, sepse janë edhe afatet. Presim që shpallja e fituesve të bëhet tani brenda majit, ose brenda javës. Unë presë që brenda majit të hapen ofertat dhe pastaj të pritet faza e ankesave e përgjigjet nga UShP-ja, nënshkrimet e kontratave, dhe pas nënshkrimeve do të fillojnë punimet te ajo pjesa, njëjtë edhe tek pjesa nga Kieva deri në Dollc”, tha ministri.

Punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë kanë nisur në vitin 2016. Edhe përkundër që jemi në vitin 2023, këto punime nuk janë kryer ende.

Deri tash, krerët e institucioneve përkatëse “fajësonin” shpronësimet si faktor kyç i zvarritjes së punimeve, por që kjo çështje, siç patën deklaruar pak kohë më parë, janë kryer.

Madje, pak muaj më parë, në teatrin e qytetit të Podujevës është bërë publik i gjithë projekti se si do të duket kjo rrugë.