Në Kosovë po vazhdojnë diskutimet intensive për një pako të re mbështetëse financiare, e cila synon të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët në kushtet e rritjes së kostos së jetesës dhe inflacionit.
Burime për Gazeta Minuti bëjnë të ditur se një nga masat kryesore që po shqyrtohet në kuadër të kësaj pakoje është edhe ndarja e 100 eurove për fëmijët, si mbështetje direkte për familjet. Sipas këtyre burimeve, kjo pagesë pritet të realizohet gjatë muajit maj, por vetëm pasi të përfundojnë të gjitha procedurat institucionale.
Sipas informacionit të siguruar, pakoja fillimisht duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës, më pas të miratohet përfundimisht në Qeveri, dhe vetëm pas këtij procesi do të mund të nisë ekzekutimi i pagesave në praktikë. Kjo procedurë, sipas burimeve, është e domosdoshme për të garantuar zbatimin ligjor dhe shpërndarjen e drejtë të fondeve. Sipas ndjekjeve të procedurave ligjore, ekzekutimi do të bëhej gjatë muajit maj.
Përveç mbështetjes për fëmijët, në diskutime është edhe mundësia e një pensioni shtesë për pensionistët, kategori që konsiderohet ndër më të goditurat nga rritja e çmimeve bazë. Po ashtu, pritet që paketa të mos kufizohet vetëm në këto grupe, por të shtrihet edhe në kategori të tjera sociale.
Në fokus të diskutimeve janë gjithashtu edhe punonjësit e sektorit privat, për të cilët po shqyrtohen forma të ndryshme mbështetjeje financiare, përfshirë subvencione apo ndihma direkte. Sipas burimeve, qëllimi i këtyre masave është ruajtja e fuqisë blerëse dhe stabilitetit ekonomik në vend.






