Screenshot
Lokale - eSIMy

Lojtarët e ekipit kombëtar të Zvicrën nuk i lënë fitimet e tyre nga futbolli të qëndrojnë duarkryq në llogaritë e tyre bankare.

Ata i investojnë ato në projekte të ndryshme.

Gazeta zvicerane Blick publikoi sot një artikull ku shpjegon se ku i investojnë paratë e tyre yjet e futbollit zviceran, përfshirë Granit Xhakën e Xherdan Shaqirin, dy legjenda të futbollit helvetik.

Shembulli më i fundit, shkruan Blick, është ish-portieri Diego Benaglio, tani 41-vjeç, i cili po investon një një hotel të ri me 106 dhoma në Flims të qytetit Graubunden.

Xhaka – stilist mode

Mesfushori i Bayer Leverkusenit ka zgjedhur të investojë milionat e tij në disa drejtime.

Së bashku me vëllanë e tij Taulantin dhe babanë Ragipin, kapiteni i kombëtares zvicerane është bashkëpronar i Generation Immobilien AG, me seli në Bazel. Bëhet fjalë për një biznes që merret me patundshmëri.

Para se të investonte në këtë biznes, Xhaka bleu një ndërtesë me apartamente në vitin 2018 – në Kantonin e Solothurnin, i cili sipas Blick, nuk është fort në modë. Ky kompleks ndodhet në komunën e Grenchen-it, 25 kilometra në veri të Bernit.

Portofoli i tij i pasurive të patundshme përfshin gjithashtu prona në Bazel dhe në Kosovë, vendlindjen e prindërve të tij, shkruan Blick.

Që nga viti 2020, Xhaka është marrë edhe me modën e veshjeve. Së bashku me disa partnerë, ai themeloi markën e tij të veshjeve “Grajo”. Xhaka shet veshje të përditshme për meshkuj.

Xherdan Shaqiri – shef i një klubi futbolli

Kampioni i Zvicrës me Baselin, Xherdan Shaqiri, i cili zyrtarisht u tërhoq nga skuadra kombëtare në vitin 2024, po riinveston pasurinë e tij të futbollit në futboll.

Në fillim të këtij viti, ai u bë aksionar minoritar në FC Rapperswil-Jona, atëherë në kategorinë e tretë të futbollit zviceran.

“Rappi është klubi perfekt për të mësuar nga afër menaxhimin”, tha Shaqiri për Blick asokohe.

Gjërat nuk po shkojnë aq mirë për Shaqirin në sektorin e patundëshmërive. Ai ka kohë që planifikon të ndërtojë një shtëpi për familjen, një garazh, një pishinë të jashtme dhe një hidromasazh në qytetin e Rheinfelden-it. Edhe pse e mori lejën për ndërtimin e shtëpisë në gushtin e vitit 2022, katër ankesa nga banorët deri më tani kanë penguar ndërtimin. Megjithatë, së fundmi ai e siguroi lejën pasi fitoi rastin në Gjykatën e Lartë Federale.

Yann Sommer, muzikant

Në moshën 36 vjeç, Yann Sommer po shkon drejt fundit të karrierës së tij. Portieri i Interit filloi të mendonte për atë që e pret pas futbollit.

Në vitin 2018, portieri që u dorëhoq nga kombëtarja tha se i pëlqejnë sfidat dhe se dëshiron të provojë diçka të re. Ai madje mendoi për një karrierë si muzikant në atë kohë. Sommer di të luajë kitarë dhe ka marrë edhe mësime këndimi.

Yakin, milioner në biznes

Trajneri i kombëtares zvicerane është një njeri i suksesshëm në botën e biznesit.

“Hobi” i tij, siç i pëlqen ta quajë vet Murat Yakini, janë pasuritë e paluajtshme: Ai zotëron prona të ndryshme kryesisht në vendin e tij të lindjes në Bazel.

Edhe vetë Yakin nuk duket se e di saktë sa shtëpi i posedon: “Nuk mund të them saktësisht se sa shtëpi kam”, i tha ai dikur revistës “Switzerland at the Weekend”. Por kur sheh një mundësi për të përfituar, ai e shfrytëzon rastin. Ndër të tjera, Yakin e shiti vilën e tij në Bazel, Schifferhaus, për një shumë të raportuar prej 5.2 milionë frangash zvicerane në vitin 2019.

Yakin është përfshirë gjithashtu në biznesin e dyshekëve që nga viti 2022. Në atë kohë, ai themeloi Grupin Yakin, i cili shet mobilje si krevate dhe mobilje të tjera nën emrin e ri Swissform Group. Megjithatë, biznes kryesor janë dyshekët.