Bekim Isufi thotë se kampionati i Kosovës është interesant edhe pse janë shkëputur Prishtina dhe Feronikeli nga ekipet tjera.
Këto dy ekipe i sheh si pretendente për titull, ndërsa Llapin e sheh pak më larg.
“Një kampionat interesant. Shkëputje më e madhe sesa vitin e kaluar, kur kishte 5-6 ekipe pretendente për titull”, theksoi fillimisht ai.
“Prishtina dhe Feronikeli janë shkëputur ndaj ekipeve tjera. Me plot meritë Prishtina është shpallur kampione vjeshtore. Edhe rikthimi në stadiumin e tyre i ka bërë të ndihen më komod. Edhe Feronikeli ka bërë investime. Mbetet se si këto dy ekipe do të garojnë deri në fund. Prishtina ka arritur ta ruajë skeletin e ekipit, por edhe Feronikeli”, nënvizoi ai.
“Llapit po i mungon serioziteti brenda klubit, nuk kanë stabilitet dhe vazhdimësi të rezultateve. Ekipet tjera duhet ta kërkojnë Evropën përmes Kupës. Do të jetë një kampionat interesant deri në fund”, përfundoi Isufi.