Lokale - eSIMy

18 prilli njihet si Dita Evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, në respektimin e të drejtave bazë të pacientëve. Kjo ditë, po shënohet edhe në Kosovë.

Në shënim të kësaj dite, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka organizuar tryezën diskutuese mbi temën “Siguria e pacientit dhe infeksionet e lidhura me kujdesin shëndetësor”, ku i pranishëm është edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Duke diskutuar për të drejtat e pacientëve, ndër të tjera, Ismaili potencoi se rreth 3 mijë persona, apo 35% e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës.

“Duke parë këtë situatë, për herë të parë në Kosovë, ne po krijojmë programin kombëtar për trajtimin e infarktit në dy orët e para në të gjithë vendin. Për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5%. Me këtë program, kur një qytetar do të ballafaqohet me sulmin në zemër, kudo që jeton ai në Kosovë, brenda dy orëve do të reagojë i gjithë zinxhiri shëndetësor, me procedura të përshpejtuara, dhe pa asnjë vonesë do ta sjellë atë në QKUK, për t’ia shpëtuar jetën. Me shërbimin 24-orësh për sëmundjet e zemrës dhe stentimin në QKUK dhe tani me këtë program, ne do t’i shtojmë ndjeshëm shanset e qytetarëve tanë për mbijetesë. Programi do të zhvillohet në tri faza dhe puna për realizimin e tij do të fillojë menjëherë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.