Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka reaguar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët sot, përmes një komunikate për shtyp, thanë se ligji për paga nuk duhet të kaloj në leximin e dytë në Kuvend.

Ismaili ka thënë se me apo pa votën e LDK-së, ky ligj do të kaloj dhe pagat mjekëve do të rriten. Sipas tij, është për t’u “përshëndetur” guximi i LDK-së që të kundërshtojnë rritjen e pagave për profesionistët shëndetësorë.

Ministri Ismaili në fund u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që ta mbështesin reformën në shëndetësi. “Rritja e pagave për profesionistët shëndetësorë është më e madhe sesa tendencat për përfitime politike. Në fund të fundit, çdo reformë bëhet për qytetarët dhe pengesa e tyre ndikon direkt në shëndetin e tyre”, ka thënë Ismaili.

Lexoni reagimin e plotë të ministrit Ismaili:

Është për t’u “përshëndetur” guximi i LDK-së për ta kundërshtuar ligjin për rritje të pagave për profesionistët shëndetësorë.

Në qeverisjen e kaluar kjo parti kishte tre akterët kryesorë në Qeveri: kryeministrin, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Financave dhe nuk bënë asgjë për fatin e mjekëve e as nuk përmirësuan gjendjen në shëndetësi.

Profesionistët shëndetësorë më së miri e dinë se pikërisht qeverisja e LDK-së nuk e bëri asnjë hap të vetëm për rritjen e pagave për ta.

Koston e një qeverisjeje të keqe nga LDK-ja e kanë bartur në kurriz edhe vetë qytetarët e Kosovës.

Spitalet tona janë lënë në gjendje të mjerueshme, ku qytetarët kanë marrë shërbime nëpër bodrume, pacientët kanë qëndruar në shtretër me dërrasa, kurse barnat janë blerë më shtrenjtë dhe ka pasur më pak.

Për vetëm një vit punë, sot klinikat dhe spitalet tona kanë pajisje më moderne, qytetarët nuk marrin shërbime më nëpër bodrume, i kemi ndërruar shtretërit dhe e kemi ndalur korrupsionin në blerjen e barnave.

Argumentimi se pse Ligji i Pagave nuk duhet kaloj sipas LDK-së është një arsyetim qyqar i kësaj partie që ta ndalin rritjen e pagave për profesionistët shëndetësorë.

Me apo pa votën e LDK-së, mjekëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë do t’u rriten pagat dhe do t’u kthehet dinjiteti edhe përmes përmirësimit të kushteve të punës.

Gjithsesi, unë bëj apel që profesionistët shëndetësorë të mbahen larg lojërave politike.

Sikurse edhe më herët, edhe tash, u bëj ftesë të gjitha grupeve parlamentare që ta mbështesin reformën në shëndetësi.

Rritja e pagave për profesionistët shëndetësorë është më e madhe sesa tendecat për përfitime politike.

Në fund të fundit, çdo reform bëhet për qytetarët dhe pengesa e tyre ndikon direkt në shëndetin e tyre.