Lokale - eSIMy

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka treguar se aparatura të cilën e kanë blerë për QKUK-në tashmë ka nisur të futet në funksion.

Konkretisht, Ismaili ka folur për Endoskopin e ri të cilin ditë më parë i kanë dorëzuar Klinikës së Gasatroenterologjisë, dhe i cili ka dy ditë që është futur në përdorim.

Me këtë rast, ministri Ismaili, ka thënë se duke u nisur nga shqetësimet e qytetarëve, ka marrë vendim që të monitoroj secilën pajisje të cilën do ta blejnë për klinikat e QKUK-së.

Lexoni statusin e plotë të ministrit Ismaili:

E kam parë nga komentet e juaja, të dashur qytetarë, se kohë pas kohe po shqetësoheni, me të drejtë, se aparaturat e reja që po i blejmë dhe po i dorëzojmë nuk do të futen në funksion. Duke u nisur nga ky shqetësim i juaji, unë kam marrë vendim që të monitoroj secilën aparaturë të cilën do ta blejmë, ku do të dorëzohet, çfarë funksioni do të kryejë, dhe a po përdoret.

Sot vizituam klinikën e Gastroenterologjisë, të cilës ditë më parë i dorëzuam një endoskop të ri, për kontrollimin e lukthit dhe zorrëve. Endoskopi i munguar prej tri vitesh në këtë klinikë, ka dy ditë që është futur në funksion dhe tani kemi rifunksionalizuar shërbimin për kontrollimin e lukthit dhe zorrëve në QKUK, të munguar për shumë kohë. Vazhdojmë me aparaturat tjera.