Derisa një çerek shekulli punoi si zëvendësshef i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA) për Ballkanin, Stephen Meyer këmbënguli në pretendimet e tij se pa ndryshimin e kufijve në këtë pjesë të Evropës, nuk do të ketë përparim ose paqe e përhershme.

Pretendimet, e tij të cilat prej kohësh janë kuptuar si herezi, u aktualizuan papritmas në një dokument jozyrtar, nga një autor i panjohur, për ridefinimin e kufijve ballkanikë.

Tani, këshilltari politik dhe ekonomik, Meyer, për gazetën serbe “Novosti” nga Uashingtoni, thotë se ai akuzohet se qëndron pas dokumentit në të cilin çështja në rajonin e Ballkanit zgjidhet me kufij të rinj, por menjëherë mohon pretendime të tilla.

“Në Bosnjë e Hercegovinë menjëherë më akuzuan si autor [i non-paper], por nuk kam asgjë me të. Unë gjithashtu mendoj se CIA nuk qëndron pas të ashtuquajturit ‘non-paper’, sepse unë e di që kjo agjenci nuk e bën atë në atë mënyrë. Është e vërtetë, megjithatë, që kam parë shumë dokumente të ngjashme në dekadat e kaluara, kryesisht nga përfaqësues të komunitetit akademik. Unë me të vërtetë nuk e di kush është autori i këtij dokumenti. Por, është e vërtetë që kam shkruar për nevojën e korrigjimit të kufijve në Ballkan për 15 vjet me radhë”, tha Meyer, përcjell, Telegrafi.

Ai tregon se çfarë synimesh sheh prapa këtij dokumenti “misterioz” .

“Unë shoh që dikush e pa situatën në Ballkan dhe e kuptoi se mënyra se si rajoni është i organizuar tani, nuk do të jetë në gjendje të përmirësohet. BeH është një krijim i brishtë, jo një shtet i vërtetë dhe është koha që politikanët të përcaktojnë se çfarë duan për shoqërinë e tyre. Unë gjithmonë kam thënë që vetë udhëheqësit në rajon duhet të ngrenë hapur çështjen e ndryshimit, por theksoj se, në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, dhe fuqitë e tjera të mëdha, duhet të mbeten larg këtij procesi”, thotë ai.

Ish-zëvendësshefi i CIA-s vlerëson se kufijtë e bazuar në etni janë zgjidhja më e mirë për Ballkanin.

“Përndryshe, ato janë një burim i vazhdueshëm konflikti, sepse nuk janë ato që vërtetë e duan komuniteti politik dhe popujt. Mbaj mend që administrata e Clintonit kishte thënë një herë se, ‘le të mësohen të jetojnë kështu!’. Por koha ka treguar se ish kolegët e mi nuk mund të zgjidhnin asgjë në vendet historinë ose kulturën e të cilave, në fakt, ata nuk e kuptojnë. Unë mendoj se është koha e duhur për të filluar procesin, pa parë pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara. Ne kemi nevojë për një udhëheqje të guximshme që do të thotë qartë dhe me zë të lartë se ‘status quo’ nuk është e mundur, sepse ajo sjell ngecje ekonomike, konflikte, urrejtje etnike dhe një kërcënim të vazhdueshëm të dhunës në Ballkan”, thotë ish-zëvendësshefi i CIA-s.

Meyer ka folur edhe për idenë e Mini-Schengenit Ballkanik, duke thënë se është një hap i parë i shkëlqyeshëm që çon në bashkëpunim më të madh, “tani duhet të vazhdojmë tutje”.

Ndërsa, lidhur me reagimet që shkaktoi në gjithë rajonin dokumenti i pretenduar ‘non-paper’ i kryeministrit slloven, Janez Janša për ridefinimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, Meyer thotë se, “kjo është për shkak se askush nuk është i sigurt se kush e ka shkruar dokumentin, dhe disa udhëheqës në rajon besojnë se ata do të humbasin nëse nuk e kritikojnë atë”.