Ishte vetëm 18 vjeç, kur 23 vjet më parë përjetoi atë që nuk ka ndodhur askund në botë.  Emin Sallahu, ish i burgosur në burgun e Prishtinës, po hyn sërish në këtë objekt për herë të parë pas çlirimit të Kosovës.

Por kësaj radhe, Sallahu ka hyrë për t’i përkujtuar vuajtjet që i kanë përjetuar shqiptarët aty.

I emocionuar e me fjalë pak, për Ekonomia Online, tregon tmerrin që kishte përjetuar Sallahu, kur ka qëndruar me vite të tëra në këtë burg, ku pritet të shndërrohet si muze.

“Është ndjenjë e veçantë sepse të kthen në atë kujtesë nga e kaluara. Disa prej shokëve që kanë qenë të burgosur disa edhe nuk jetojnë më. Jam arrestuar në janar të vitit 1997, dhe jam sjellë konkretisht në këtë dhomë pas mesnatës së 27 janarit të atij viti dhe këtu kam hasur me dy të burgosur”, tregon ai, teksa tregon edhe shtratin ku ka qenë duke qëndruar në atë janar të ftoftë.

“Temperaturat kanë qenë shumë të ultë. Thënë të drejtën pak kam komunikuar me të burgosurit sepse nga këtu na merrnin dhe në fund të korridorit ka qenë pjesa e ndërtesës ku kanë qenë dhomat e hetuesisë”.

“Në këtë fatkeqësi kemi pasur fat ata që na kanë torturuar nuk kanë qenë shqiptarë por serb dhe pjesa dërmuese kanë qenë nga Nishi, Beogradi e disa vende tjera”, u shpreh ai, duke shtuar se policët kanë pasur vetëm nofka dhe nuk kanë mundur t’i identifikojnë me emra.

Një tjetër i ish i burgosur rrëfen për Ekonomia Online tmerrin që kishte përjetuar 23 vjet më parë në burgun e Prishtinës.

Selatin Novosella, ish i burgosur politik ka thënë se gjysma e jetës së tij e ka kaluar në burgje.

“Duke pasur parasysh se kam qenë katër herë në këtë burg si i mitur në vitin 1964 si anëtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve së bashku me Adem Demaçin e shumë të tjerë. Pastaj në vitin 1968 dhe në vitin 1981, jo si organizator dhe në vitin 1975″.

“Ky burg është një vend ku dëshmohet çfarë kushtesh janë mbajt dhe është më rëndësi duhet të dihet mbrapa këtij burgu ishte me dyer të veçanta objekti i sekretariatit të Punëve të Brendshme të asaj kohe”.

Teksa flet për atë vuajtje, Novosella thotë se tmerri në atë kohë ka qenë i tmerrshëm. Madje, thotë se nevojat personale kanë qenë të detyruar t’i kryejnë brenda qelisë dhe t’i mbajnë me orë të tëra, raporton EO.

“Torturat nuk janë kryer në burg në vendin ku kanë qëndruar UDB-a me ditë të tëra e kryesisht natën. Nevoja personale janë kryer në një qyp prej dheut dhe i burgosurit ka qenë i detyruar ta mbajë 24 orë me nevojat e tij në një kënd të qelisë, që as kafsha nuk trajtohet ashtu”.

“Unë kur kam qenë në këtë burg kam ngrënë ushqim në kalanicë (pjatë e përbërë prej dheut), dhe me lugë të drurit. Pastaj ne jemi pastruar në oborr, në kohë të dimrit e verës ne jemi pastruar aty dhe nuk kemi pasur asnjë shtrojë e as mbulojë, shtrat e kemi pasur betonin”, ka thënë ai. 

Burgu i Prishtinës të premten është hapur për vizitorë, me rastin e Ditës së Çlirimit, ku pritet të shndërrohet në muze.