Zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës po afrohen përderisa partitë politike po i mbajnë të fshehur kandidatët e tyre për kryetar të komunave, shkruan Llapi.info.

Por burimet të Llapi.info kanë bërë të ditur se brenda Partisë Demokratike të Kosovës është duke u biseduar që kandidat për kryetar të Podujevës nga kjo parti të jetë ish-komandanti i FSK-së Kadri Kastrati i cili së fundi ka aderuar në PDK.

Llapi.info kontaktuar zyrtarin për informim të PDK-së në Podujevë, Flakron Gashi i cili nuk e ka mohuar kandidimin e Kastratit për kryetar të Podujevës por ka thënë se janë në konsultat përfundimtare për përzgjedhjen e kandidatit dhe se me caktimin e tij do ta zyrtarizojnë emrin e kandidatit.

“Partia Demokratike e Kosovës dega në Podujevë, është në konsultat përfundimtare rreth përzgjedhje së kandidatit për kryetar të komunës në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vit. Dega e PDK-së, në Podujevë nuk është e lidhur për emra të individëve, por është e preokupuar që kandidati ynë të jetë zgjedhja më e mirë në shërbim të qytetarëve të Podujevës. Ne si subjekt politik, në momentin që vendosim përfundimisht rreth kandidaturës, do ta zyrtarizojmë ate duke bërë publike  emrin dhe biografinë e tij.”, thuhet në përgjigje.

Kadri Kastrati është zgjedhur si anëtar i kryesisë dhe këshillit drejtues në një mbledhje të PDK-së ndërsa me 22 nëntor të vitit 2011 me vendim të presidentit të Republikës së Kosovës, Kastrati ishte emëruar si komandant i FSK-së. Pas një viti, ai është graduar (avancuar) me gradën e gjeneral lejtnant.

Ish komandanti i FSK-së Kadri Kastrati, ka lindur më 15 mars 1960 në fshatin Katunishtë ish-Velikorekë, Komuna e Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme ushtarake në Split, Republika e Kroacisë, në vitin 1981. Fakultetin e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore e ka përfunduar në vitin 1987 në Sarajevë, Republika e Bosnjës dhe Hercegovinës. Në vitin 2012 diplomon dhe merr titullin magjistër në lëmin e sigurisë, më saktësisht në “Menaxhimin e katastrofave në Republikën e Kosovës dhe rajon”.