Josep Maria Minguella, ish-agjent i Barcelonës, ka deklaruar për Cope se tashmë Leo Messi e ka një ekip të ri.

Sipas tij klubi i ri i argjentinasit është Interi, transmeton KOHA.

Messi ka kërkuar zyrtarisht largimin nga Camp Nou, pas përplasjeve me trajnerin e ri Ronald Koeman.

“Për mua Messi tashmë e ka një ekip: Interi”, shprehet Minguella, që shton se është një argument i rëndësishëm që Messi të përfundojë në Milan. “Në Itali paguajnë më pak taksa. Aty është Cristiano. Është e vështirë për mua ta shohë atë në Angli, pa marrë parasysh dy miqtë e tij, Agueron e Guardiolan, që janë te City”.

Tutje ai ka kritikuar Barcelonën për mënyrën se si ka funksionuar.

“Problemi kryesor për Barcelonën në vitet e fundit ka qenë mosfunksionimi i rolit të Drejtorit Sportiv. Nëse nuk keni drejtor sportiv që e bën lidhjen e bordit me ekipin, bëhen ndryshime të vazhdueshme dhe vjen një kohë që derisa ka rezultate gjithçka mbulohet, por kur kjo nuk ndodh atëherë krijon mosrehati të përgjithshme brenda skuadrës. Kjo është ajo çfarë ka ndodhur”, ka thënë Minguella.