Po bëhen gati dy javë që kur sindikatat e sektorit publik në Kosovë kanë hyrë në grevë, përderisa ende s’ka dakordim me Qeverinë në lidhje me kërkesat për ndarjen e 100 eurove për mësimdhënësit.
Ish-kryeministrit i Kosovës, Isa Mustafa, për FrontOnline, tha se vazhdimi i grevës së sindikatave është si pasojë e mos komunikimit të Qeverisë me sindikatat.
“Qeveria ka përgjegjësi të dialogojë me sindikatat dhe subjektet tjera që përfaqësojnë interesat e grupeve të caktuara në shoqëri. Kjo është vlerë e pluralizmit, e cila edhe mund të mos pëlqehet kur e ndërron anën. Prandaj qeveria duhet të kërkojë zgjidhje përmes komunikimit dhe jo përmes barrikadimit dhe selektimit të bashkëbisedueseve”, deklaroi ai.
Mustafa tha se mos gjetja e një zgjidhje nga të dyja palët po i dëmton fëmijët.
“As unë s’kam qenë i entuziazmuar kur drejtoja qeverinë e sindikatat organizonin greva, por bisedonim dhe gjenim zgjidhje e cila në fund nuk ishte as si e atyre e as si e jona, pra zgjidhje kompromisi. E gjithë kjo shtyrje në litar i dëmton fëmijët”, u shpreh ai.
Ndërsa sa i përket kërkesave të sindikatave, ish-kryeministri i Kosovës tha se rritja e pagave është e nevojshme pas rritjes së inflacionit.
“Ndërsa qeveria duhet të jetë e ndërgjegjshme për nevojën e rritjes së pagave jo vetëm në arsim, por edhe në shëndetësi, polici, administratë…Dhe të hapë investimet publike. Inflacioni së bashku me rënien e fuqisë blerëse ka prekur çdo pore të shoqërisë”, tha Mustafa
Mustafa foli edhe për sjelljen e Kurtit në raport me sindikatat.
Ai tha se nuk justifikohet armiqësia e Qeverisë ndaj votuesve.
“Sigurisht se shumë nga këta që sot janë në grevë e kanë votuar këtë qeveri prandaj nuk justifikohet armiqësia me votuesit, me arsimtarët, dhe ofendimi i tyre si analfabet funksional”, u shpreh ai për Front Online.