Inspektoriat Policor i Kosovës ka nisur hetimet për zyrtarin policor që gjatë arrestimit ka shtyrë dhe rrëzuar përtokë, ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, njëherësh anëtarin e kësaj organizate, Faik Fazliu.

Lajmin për Gazetën Online “Reporteri.net” e ka konfirmuar zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar një hetim preliminar bazuar në autorizimet ligjore të saj”, tha ai.

Ndryshe, minuta më parë, u.d. i kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, bëri të ditur lirimin e Faik Fazliut.