“Në qoftë se opozita arrin ta rrëzojë kryeministrin në rrugë parlamentare, me mocion mosbesimi, që është instrumenti kryesor për ta rrëzuar një Qeveri, në qoftë se opozita ka sukses, atëherë Kushtetuta jonë nuk i jep të drejtë opozitës që ajo ta bëjë kryeministrin, por automatikisht e çon vendin në zgjedhje”.

Në këtë mënyrë e kishte interpretuar Kushtetutën deputeti i atëhershëm i PDK-së, Arsim Bajrami, në një paraqitje të tij televizive në KTV, në vitin 2014, transmeton KOHA.

Bajrami, gjatë kësaj interviste, pati deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje në rast shkarkimi të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi përmes mocionit të mosbesimit.

Megjithëkëtë, 6 vjet më pas, në një kohë kur ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti u aprovua mocioni i mosbesimit, Kushtetuta po interpretohet ndryshe nga përfaqësuesit politikë.

Kërkesa e LDK-së për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me subjektet e opozitës po shihet si mundësi në këtë kohë, duke evituar shkuarjen në zgjedhje.

I kontaktuar nga Koha, Arsim Bajrami ka thënë se ai ka vendosur që të mos flasë më për interpretimet kushtetuese.

Por, një gjë të tillë, profesori dhe një nga hartuesit e Kushtetutës, Riza Smaka, po e sheh si të pamundshme juridikisht.

Smaka thotë se Kushtetuta e hartuar e Kosovës ka pika të paqarta të cilat ai kishte kërkuar të shqyrtoheshin e ndërroheshin për të evituar interpretime të tilla.

Ndërsa thotë se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk dërgon një emër për kryeministër të ri te presidenti, ky i fundit duhet t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Dhe se me Kushtetutë Kurtit i lejohet vakumi juridik për dhënien e një emri pa afat të caktuar.

Derisa në rast se presidenti Thaçi anashkalon Vetëvendosjen duke u dhënë mundësi LDK-së dhe partive të tjera të formojnë qeverinë, VV-ja ka paralajmëruar se një vendim të tillë do ta dërgojë në Kushtetuese.

Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë sinjale se do ta kapërcejë fituesin e zgjedhjeve, përkatësisht Lëvizjen Vetëvendosje, në procesin e caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë së re.

E ka bërë këtë në një letër adresuar kreut të kësaj partie, Albin Kurti, i cili është kryeministër në detyrë.

Në letër ka theksuar se, duke qenë president i vendit, mandati kushtetues e obligon që “të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve”.