Lokale - eSIMy

Vetëm një ditë pas raportimeve lidhur me interesimin e skuadrës së Benficas për transferimin e Albion Rrahmanit, kryetari i FFK-së ka takuar zyrtarët e klubit portugez.

Një delegacion prej koordinatorit për zgjerim global, Miguel Reis dhe zyrtarit të lartë teknik, Davide Gomes, është takuar sot me kryetarin Agim Ademi.

Sipas njoftimit të FFK-së “temë diskutimi në takim ishte futbolli kosovar, mundësia e bashkëpunimit me klubet dhe identifikimi i talenteve të rijnë”.

“Zyrtarët e S.L. Benfica shprehën mirënjohje për punën që po bëhet në zhvillimin e futbollit këtu, derisa të njëjtit shfaqën interesimin e tyre për të parë nga afër të rinjtë kosovarë të cilët e kanë pasion futbollin”, thuhet tutje në njoftimin e FFK-së.

Nuk dihet nëse vizita e zyrtarëve të Benficas është me shkak apo thjeshtë një rastësi lidhur me raportimet për transferimin e sulmuesit kosovar Albion Rrahmani.

Sipas mediumit portugez Record.pt, Benfica e ka futur lojtarin e Rapidit në listën e blerjeve të mundshme, pasi legjendari Rui Costa, në cilësinë e presidentit, e ka vënë në dukje potencialin e tij.

Në të njëjtën kohë, skautët e Benfikës kanë qenë të pranishëm në tribuna në ndeshjen Rapid – Steaua 4-0, në të cilën Rrahmani ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asistim.

Dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishme, gazetarët portugez sjellin edhe një deklaratë të dhënë nga Daniel Chirita, ish-reprezentues rumun, i cili garantoi se Rrahmani është në listën e klubeve të rëndësishme evropiane, përfshirë Benfican.

Rrahmani është ftuar nga Përfaqësuesja e Kosovës për miqësor.