Përdoruesit e rrjetit social, Instagram, mund t’i qasen lehtësisht platformës përmes një kompjuteri apo iPadi, megjithatë në uebfaqen për desktop s’ka një opsion për publikim të fotografive, videove apo edhe storieve, për përdoruesit e thjeshtë. Gjithsesi, kërkesa e kamotshme pritet të realizohet së shpejti, pasi që kompania po punon në përditësim të uebfaqes së vet për t’ua mundësuar përdoruesve postimin nga aty.

Siç ka postuar në Twitter, zhvilluesi dhe analisti i aplikacioneve, Alessandro Paluzzi, përditësimi do të sjellë krijuesin e postimeve edhe në uebfaqen e Instagramit – që më herët ishte në dispozicion vetëm përmes aplikacionit.

Përmes fotografive të publikuara, Paluzzi ka treguar se ka arritur ta përfshijë opsionin e ri përmes metodave të papublikuara, duke shpalosur si do të duket kur ajo të publikohet. Ndërfaqja shihet se shfaq disa opsione, me përdoruesit që do të mund të zgjedhin mes opsioneve për postim, e përdorim të filtrave dhe vendosje të përshkrimeve.

Nuk dihet ende se kur do të vijë një veçori e tillë, por kërkesa e përdoruesve është e kamotshme.