Felix Dorfin, 35 vjeç, është dënuar me vdekje nga një gjykatë indoneziane për shkak të trafikimit të tre kilogramëve të drogës. Vendimi ishte i befasishëm, sepse prokurorët kishin kërkuar dënim me 20 vjet burgim.
Francezi ishte arrestuar në shtator të vitit të kaluar në aeroportin e ishullit turistik të Lombokut. Avokati i tij tha se Dorfin planifikon të bëjë ankesë për dënimin me vdekje.
Indonezia është një ndër shtetet me ligjet më të ashpra për drogën, përfshirë dënimin me vdekje për trafikuesit.
Dorfin ishte arrestuar duke bartur një çantë me rreth 3 kilogramë të llojeve të ndryshme të drogës, përfshirë ekstazinë dhe amfetaminën. Ai kishte arritur në Indonezi nga një aeroport i Singaporit.
Gjykatësi i këtij rasti tha se përfshirja e qytetarit francez në një rrjet ndërkombëtar të drogës dhe sasia e madhe e substancave narkotike që janë gjetur në çantën e tij janë faktorë rëndues që e bëjnë të nevojshëm dënimin më të rëndë.
Prokurorët kishin kërkuar që ai të dënohet me 20 vjet burgim dhe gjobë prej 700 mijë dollarësh. Megjithatë, në Indonezi ndodh shpesh që gjykatësit të marrin vendime më të rënda se ato që kërkohen nga prokurorët, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.





