Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot inauguroi Parkun për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, duke e quajtur hap të madh në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë, duke u orientuar në teknologjinë informative.
Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadori gjerman, Christian Heldt, nga ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari si dhe zv.ministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu.
Kryeministri në detyrë u shpreh se parku paraqet një projekt qeveritar të rëndësisë së madhe dhe parashikohet që Qeveria e Kosovës të kontribuoj me marrëveshjen e bashkëfinancimit në shumë prej 11, 9 milionë euro që është në negocim e sipër midis dy ekipeve.
“Bashkëpunimi Kosovë-Gjermani ka histori të gjatë që buron që nga lidhjet ndërmjet popujve tanë deri te mbështetja gjermane për çlirimin e Kosovës. Kontributi i pasluftës në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës është vlera më e lartë që ka mundësuar që një kamp i dikurshëm ushtarak të shndërrohet në nyje ndërlidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ai tha se po hedhet një hap i madh në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë, duke u orientuar në teknologjinë informative.
“Kemi Prizrenin me kulturë dhe traditë të lashtë dhe po u ofrojmë perspektivë të rinjve që të zhvillojnë aftësitë dhe talentin e tyre, duke u ndërlidhur përmes këtij parku me tregun dinamik botëror të punës”, tha kryeministri në detyrë, raporton Telegrafi.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë janë të përkushtuar që në një plan afatmesëm dhe afatgjatë të mundësojnë një gjë të tillë.
Kurti tha se në frymën e bashkëpunimin me shtetin gjerman kanë besim të plotë në menaxhimin e hapësirës në Prizren nga GIZZ-i, duke besuar se do të kontribuojë në ndërtimin e një parku ndryshe nga ato që kanë qenë viteve të fundit në Kosovë.
“Në këtë park shohim lidhjen e arsimimit cilësor me ekonominë zhvillimore, lidhjen e edukimit bashkëkohor me tregun e punës”, tha ndër të tjera Kurti, duke falënderuar shtetin gjerman për mbështetjen e Kosovës.