Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK) i ofron mbështetje Komunës së Podujevë në sektorin e bujqësisë përmes angazhimit të praktikantëve dhe ofrimit të trajnimeve.

Marrëveshja e nënshkruar në mes të drejtorit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi dhe përfaqësuesve të IADK-së parasheh bashkëpunim në angazhimin e tre praktikantëve më pagesë dhe ofrimin e trajnimeve dhe këshillimeve për 10 studentëve të kësaj fushe, të cilët paraprakisht kanë aplikuar dhe u janë nënshtruar procedurave për pranim, thuhet në komunikatën komunale, transmeton Llapi.info.

Januzi e vlerësoi të rëndësishme këtë marrëveshje dhe tha se dy nga praktikantët do të angazhohen ne DBPZHR, ku do ta ndihmojnë administratën e kësaj drejtorie, në pranimin e dokumentacioneve për subvencione dhe pagesa direkte, ndërsa njëri do të angazhohet teknolog në Fabrikën e Miellit “Mullisi” në Podujevë.

Ndërsa pjesë e kësaj marrëveshje është edhe ofrimi i trajnimeve për 20 të rinj që kanë studiuar në fushën e bujqësisë, 10 në fushën e perimkulturës dhe 10 në fushën e përpunimit, për të cilët do të ofrohen trajnime 10 ditore dhe për të cilët do t’u mbulohen edhe shpenzimet e ushqimit dhe transportit, kurse në fund të trajnimit gjithë do të pajisen me certifikata.

DBPZHR dhe IADK vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm dhe u shprehën të interesuar për vazhdimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.