Lokale - eSIMy

Posedimi armëve të ftohta e atyre të zjarrit është shndërruar në një dukuri shqetësuese në vendin tonë. Qytetarë të shumtë rrezikojnë shoqërinë, pasi që në çdo moment mund t’i përdorin ato dhe të shkaktojnë ndonjë fatkeqësi, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘2 Nëntori’ në Prishtinë, ku një 21-vjeçar si pasojë e një mosmarrëveshje ka kërcënuar një person.

Sinjali mëson se i riu përpos që e ka kërcënuar, i është vërsulur 47-vjeçarit që ta sulmojë me thikën që e kishte me vete, por që më të keqen e parandaloi një person tjetër i cili ndërhyri dhe e largoi që aty 21-vjeçarin.

E për këtë u njoftua Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, teksa të dyshuarin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’ dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.