Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, pasi i ka rënë shorti, do t’i nënshtrohet kontrollit të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Por, kjo nuk e ka shqetësuar aspak Pacollin, i cili thotë se është i pastër si loti dhe se këtë kontroll e mirëpret.
“Sa mirë kur je i pastër si loti, e ke frikë vetëm nga Zoti. Sot me ra shorti i Agjencisë Kundër Korrupsionit për kontrollim të pasurisë. E mirëpres e shpresoj se do ta kuptojnë se pasuria krijohet me punë e jo brenda natës”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Kujtojmë se Pacolli është zyrtarisht edhe personi më i pasur në Kosovë, ku pasuria e tij sillet rreth 743 milionë euro.
Pacolli ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 210 milionë euro, ku përfshihen shtëpi, toka dhe hotelet. Vetëm një shtëpi e tij kushton gati 18 milionë euro.






