Nga fillimi i grevës në arsim, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, nuk ka reshtur se folur për cilësinë e dobët në sektorin e arsimit. Madje, ai nuk ka hezituar t’i quajë analfabet (ose analfabetë funksionalë) ata që po organizojnë greva në këtë sektor. Por, deputeti ka ‘harruar’ se dikur si nxënës i gjimnazit në Ferizaj nuk i kishte punët mirë me mësime. Dëftesat e shkollës së mesme tregojnë se ai ishte – e pakta të thuhet – nxënës i dobët.

Në dëftesën e vitit të tretë të shkollës së mesme të Bashës, shihet se atij i ishte mbyllur një njësh (1). Nota e dobët i ishte vendosur në lëndën e Biologjisë dhe kjo kishte bërë që në këtë vit ai të mbetej në provim. Tek pas riprovimit këtë notë e kishte bërë dysh (2).

Kjo kishte ndodhur në vitin 1997, kur Basha kishte qenë tetëmbëdhjetë vjeçar. Por, njëshi në Biologjisë nuk ishte e vetmja notë e dobët, raporton Nacionale.

Basha shpesh prezanton shifra të ndryshme për të përshkruar suksesin e qeverisë, por si nxënës nuk i kishte punët mirë me numra. Në lëndën e matematikës ai ishte vlerësuar me dysh (2).

Me të njëjtën notë ishte vlerësuar edhe në lëndën e Gjuhës Frënge dhe atë të Fizikës.

Pak më i mirë ishte në Gjuhën Shqipe, Gjeografi, Logjikë dhe Kimi, ku në këto lëndë ishte vlerësuar me notën tresh (3). Me notën katër (4), Basha ishte vlerësuar vetëm në lëndën e Historisë.

Ndërsa, me notën maksimale, pesë(5), ai ishte vlerësuar në lëndët Edukatë Fizike, Gjuhë Angleze dhe Mbrojtje.

Duke u bazuar në këto nota, rezultati përfundimtar ishte “mirë” (3). Ky rezultat nuk është edhe aq i kënaqshëm për nxënësit ambiciozë.

Nëse do të referohemi gjuhës së kryeministrit Albin Kurti, të cilën e përdori në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së do të thotë që “mirë nuk është shkëlqyeshëm”.

Megjithatë, deputeti Basha në gjimnaz të shkëlqyeshme e kishte notën e sjelljes, e cila i është evidentuar në dëftesë.

I shkëlqyeshëm në sjellje nuk ka qenë ndaj sindikatave. Ndonëse është në një parti të majtë, që nënkupton se duhet t’i përkrahte veprimet sindikale, ai ka sulmuar vazhdimisht ato.

Ai nuk është pajtuar me fillimin e grevave në sektorët publikë, duke e mbrojtur Qeverinë.

Në një status tij të fundit, ai grevistët i kishte quajtur analfabet që shikojnë vetëm paranë.

“Kurrë s’kanë me arritë me rahabilitu një analfabet dhe dashakeq që për pare o n’gjendje m’i dështu qindra mijëra fëmijë! Një qasje e tillë mundet me ardh veç prej një matrapazi, se s’ka mundësi m’i lanë fëmijët pa shkollë duke e ditë që brenda 18 muajsh nga kjo Qeveri (lexone): Janë marrë për bazë të gjitha kërkesat e sindikatave për Projektligjin e ri për paga; Janë ndarë nga 50€ për 4 muaj për tejkalimin e krizës me inflacionin”, ka shkruar Basha.

Në një tjetër status, ai lavdëron mësuesit e viteve 90-ta që kanë punuar pa pagesa.

“Para luftës kemi pas arsimtarë e arsimtare që paguheshin nga 100 marka në muaj, dhe ato pak paga, gjithmonë i mirrnin me shumë vonesë. Përveq që s’janë pagu, ata edhe kanë sakrifiku. Çdo ditë rrezikoheshin të maltretoheshin nga policia fashiste e Millosheviçit, sepse kishin ndërtu një sistem paralel për me na mësu në gjuhën tonë shqipe! Ka qenë e dhimbshme në gjendjen që vinin disa prej tyre, ku udhëtonin me kilometra këmbë e me biçikleta, pa pagesë!”, ka shkruar ai.