Lokale - eSIMy

Shtëpisë për kujdesin e të moshuarve, “Orenda” në Pejë, i është hequr licenca, pas pamjeve të publikuara ku ish-infermierja Aurona Pelaj ushtroi dhunë mbi një nga të moshuarat.

Kështu kanë informuar nga Ministria e Financave, përmes një komunikate për media.

“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij vendimi, qendrës “Orenda” i është dhënë kohë deri më datë 7 nëntor që ta dorëzojë licencën dhe ta mbyllë aktivitetin e saj.

Të njëjtit janë obliguar që brenda 24 orëve t’i njoftojnë edhe familjarët e të moshuarve që jetojnë aty lidhur me këtë vendim.

Njoftimi i plotë:

Revokohet licenca e subjekit “Orenda”

Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.

Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.