Lokale - eSIMy

Një person është arrestuar pas një aksidenti trafiku në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, pasi dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes.

Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 25 mars rreth orës 00:15 në rrethrrotullimin e Dobrotinit, ku i dyshuari Qendrim Zeneli, i përfshirë në një aksident, është ndaluar nga njësia e trafikut.

Sipas informacioneve, i njëjti ishte nën ndikim të alkoolit dhe gjatë ndalimit ka shfaqur sjellje agresive, duke shtyrë një zyrtar policor dhe duke përdorur fjalor ofendues ndaj policisë.

Zyrtarët kanë ndërhyrë dhe e kanë vënë nën kontroll, ndërsa më pas është shoqëruar në Stacionin Policor në Graçanicë.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Lipjan.

Rasti është iniciuar si “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa hetimet do të vazhdojnë nga njësitet hetimore rajonale.