Koordinatori shtetëror, Skënder Hyseni, duke folur për takimin e sotëm Kosovë-Serbi të zhvilluar në nivel ekspertësh ka thënë se bisedimet sot kanë qenë më konstruktive.

Ai tutje ka shtuar se sonte do të diskutohen temat dhe çështjet më kontestuese.

Duke folur për mundësinë e hyrjes në agjendë të temës së Asociacionit të Komunave Serbe, ai ka thënë se kjo nuk përjashtohet porse delegacioni i Kosovës është i përgatitur ta trajtojë çfarëdo teme.

“Që në takimin e parë në nivel të lartë ka pasur dakordim që të diskutohen pretendimet financiare nga të dyja palët, ndërkaq për asociacionin nuk jemi në dijeni. Ky është një tip dialogu që nuk parapërjashton që secila palë të nxjerrë ndonjë temë në tavolinë dhe ne jemi të gatshëm të trajtojmë çfarëdo teme që do të dalë”, ka thënë ai, raporton KOHA.

Ai ka thënë se mes të dyja palëve ka përafrim të qëndrimeve, duke shtuar se janë elemente të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.

“Jemi afër, sot kanë qenë pak më konstruktive këmbimet e qëndrimet dhe sidoqoftë ka mbet shumë çka me u rrumbullaksu nesër në nivel të lartë. Sonte do t’i diskutojmë edhe veç e veç çështjet që kanë mbetur më kontestuese. Ka një përafrim të dukshëm të qëndrimeve për ato që unë po i quaj elemente të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, ka thënë ai.

Hyseni tutje ka shtuar se nuk bëhet fjalë për marrëveshje të veçantë, sipas tij janë zotime parimore që këtyre temave t’iu qasen në ambient mirëbesimi pas nënshkrimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Ndërkaq lidhur me bashkëpunimin BE-SHBA për çështjen e dialogut, ai ka thënë se një i tillë ke ekzistuar qysh moti.

Hyseni tutje ka paralajmëruar se sot bashkë me kryeministri Avdullah Hoti, do të takohen me përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.