Zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, do të intervistohet sot në Prokurorinë Speciale, lidhur me nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Mediat raportojnë se tashmë i njëjti tashmë është paraqitur në prokurori.

Durmishi kishte njoftuar se ka marrë ftesë nga prokuroria për intervistim më 30 prill. Ai e kishte quajtur këtë ftesë si të pakuptimtë.

“Sa e sa raste kam dërguar në prokurori speciale, prokurori themelore e polici të krimeve ekonomike dhe asnjë deri më tash nuk po trajtohet, përkundrazi zvarriten me vite e vite edhe pse ka fakte sa të duash për krim e korrupsion. Rasti i mirëmbajtjes së urave p.sh ku nga 500 mijë euro të planifikuara në fund kontrata përfundon në 5 milionë e 300 mijë euro. Nuk e di çfarë fakti tjetër i duhet prokurorit për të vepruar!

Unë me datë 8 maj do të shkoj në Prokurori Speciale për të ju treguar që jam i lumtur që jam nënshkrues i kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë. Do të doja që edhe projektet tjera të ecnin me dinamikën e punëve që po bëhen në këtë rrugë. Do të vazhdoj që t’a kryej punën time me nder e përkushtim pavarësisht pengesave që na dalin gjatë rrugës”, kishte shkruar Durmishi.