Një rast i kontrabandës së kafshëve është zbuluar në fshatin Dumnicë të Podujevës.
Një person dyshohet se ka hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia me një kamion të ngarkuar me gjedhe.
Ngjarja ka ndodhur më 22 gusht, rreth orës 07:28.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari, mashkull kosovar, kishte shfrytëzuar rrugë ilegale për të kaluar kufirin me një kamion të mbushur me pesë gjedhe.
Njësitë policore, së bashku me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, e kanë ndaluar kamionin. Kafshët ishin të pa matrikuluara dhe me origjinë të panjohur.
Me vendim të prokurorit, kamioni dhe gjedhet janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.






