Një punëtor i moshës rreth 30-vjeçar ka humbur jetën sot në mëngjes pasi është rrëzuar nga një objekt ndërtimi në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjente në Prishtinë Naser Syla dhe kryeinspektori i Inspektoratit të Punës Hekuran Nikçi.

Doktor Syla tha se viktima ka arritur në emergjencë pa shenja jete, pa dhënë detaje tjera.

“Po, rreth orës 8:30 sot kemi pranuar rastin… veç u konfirmuar vdekja… moshë e re ishte, diku nën 30 vjeç”, theksoi Syla.

Ndërsa, kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi ka thënë për KosovaPress nëpërmes telefonit se janë në dijeni për vdekjen e një punëtori, por theksoi se nuk ka informata të hollësishme.

“Jemi në dijeni në kuptimin e përgjithshëm, jo në kuptim të detajuar, por për informata më të hollësishme na shkruan në email për të pasur një përgjigje më të detajuar”, ka thënë Nikçi.