Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj vizitës dhe të bërit fushatë në Shqipëri të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në një takim me drejtorin e spitalit në Prizren, Afrim Avdaj, kreu i PDK-së tha se janë shqetësuese lajmet se në Kosovë më nuk ka vaksina ndërkohë që Shqipëria ka vaksinuar 400 mijë qytetarë.

Ky është postimi i plotë i tij:

Albin Kurti për të satën herë po shfaqet në Shqipëri si kryeministri i Kosovës që më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu. Ndërkohë Shqipëria ka arritur numrin e 400 mijë qytetarëve të vaksinuar, në Kosovë janë vetëm 20 mijë të tillë në pritje të tjetër kontigjenti ndihmash me vaksina.

Në takimin me Drejtorin e Përgjithshëm të Spitalit të Prizrenit, Dr. Afrim Avdaj mësova se në këtë qytet të madh nuk ka asnjë vaksinë të vetme në dispozicion ndërkohë që kërkesat e qytetarëve janë të larta. Edhe qendrat e tjera të vaksinimit në Kosovë janë të mbyllura.

Njerëzit po infektohen edhe më shumë, të tjerët po vdesin në mungesë të vaksinave e kryeministri Kurti me ministrat e tij por bëjnë xhiro me xhipa e deklarata për mot të mirë në Shqipëri. Por parashikimet në Kosovë nuk janë të tilla z. Kryeministër. Janë të errëta dhe për të cilat do të mbash përgjegjësi!