Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur sot konferencën e përjavshme të partisë, ku ka thënë se institucionet shtetërore kanë humbur legjitimitetin demokratik dhe janë bërë jo funksionale.

Ai ka theksuar se Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe rrjedhimisht, nuk ka legjitimitet qytetarë e demokratik, raporton Indeksonline.

“Vendimet e saj nuk janë legjitime dhe do të anulohen në Qeverinë e ardhshme. Ministrat marrin vendime mbi interesave personale, siç ishte rasti me vendimin e Ministrit të Bujqësisë, i cili vazhdon të jetë në Qeveri me gjithë akuzat për keqtrajtim të shqiptarëve gjatë luftës. Deputetët e koalicionit e kushtëzojnë Qeverinë me votën e tyre për të realizuar interesat e tyre politike. Kryeministri mashtron komunitetin goranë me themelimin e një komune të re, pa asnjë konsultim me komunitetin boshnjak dhe me shumicën shqiptare në Dragash. Tre liderët e PAN-it janë marrë peng nga njerëz të tillë dhe rrjedhimisht mbajnë përgjegjësi”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, edhe funksionimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje, pasi seancat nuk thirren me rregull dhe dështojnë për mungesë kuorumi.

“Nga 24 seanca që janë mbajtur deri më tani, 20 prej tyre janë shtyrë kryesisht për mungesë kuorumi. Mbledhjet e komisioneve dështojnë për mungesë kuorumi. Në mungesë të shumicës parlamentare, koalicioni qeverisës bllokon çështjet në Kuvend me mos pjesëmarrje në votim. Ministrat dhe Kryeministri nuk paraqiten në seancë dhe në Komisione Parlamentare. Kështu që kontrolli demokratik i Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës ka dështuar. Kështu funksionon vetëm një Qeveri totalitare”, ka theksuar Hoti.

Ndërsa, duke folur për tryezat që po organizohen nga partitë politike, Hoti ka thënë se qëllimi i tyre është dalja nga kriza politike përmes caktimit të datës së zgjedhjeve dhe dakordimit për punët që duhet të kryhen nga institucionet deri në zgjedhje në mënyrë që mos të ngecin reformat për integrim evropian dhe proceset e tjera të rëndësisë nacionale.

“Përmes këtyre tryezave, ne i kemi dhënë mundësi dialogut për të dalë nga situata, përpara se të përdorim veprimet e tjera për të mos lejuar një qeverisje jo legjitime. Por, duket se ambicia për pushtet e Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit po mbizotëron përpara interesit nacional dhe përgjegjësisë qytetare që duhet të tregojnë bartësit e institucioneve. Ta kenë të qartë se qytetarët e Kosovës nuk lejojnë qeverisje jo demokratike. Tryeza e ardhshme duhet të qartësojë gjithçka në këtë drejtim”, ka përfunduar Hoti.