Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mirëpritur rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në negociatat me Serbinë, duke thënë se kjo nuk do të thotë dy lloj negociatash, por që asnjëra nuk bën pa tjetrën.
Hoti nuk është i sigurt nëse marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet para nëntorit, kur pritet të mbahen zgjedhjet në SHBA.
Sipas tij, Kosova ka bërë kompromise në Pakon e Ahtisarit kur ka shpallur pavarësinë dhe se nuk bën kompromise tjera.
Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hoti tha se nuk ka frikë se qeveria e tij do të rrëzohet dhe ai tha se nuk sheh asnjë problem që qeveria ta përfundojë mandatin. Kryeministri Hoti u shpreh se ende nuk ka vendosur nëse zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen edhe në Kosovë.
I pyetur se kur do të mbahet takimi i parë me Serbinë, ai tha “Unë besoj që shumë shpejt. Komunikimet që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë, ka qenë kërkesë e tyre që ne të tregojmë vullnet si qeveri, si shtet për t’i dhënë mundësi dialogut. Këtë gjë e kemi bërë sepse dëshirojmë t’i ruajmë partneritetet tona që kemi me miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë mbështetur shtetësinë e Kosovës deri në këtë pikë. Ne, jemi të gatshëm të hyjmë në këtë proces. Unë kam prezantuar në dy-tri ditët e fundit …jam takuar në fakt me të gjithë partnerët e koalicionit dhe dje publikisht kam prezantuar qëndrimin tonë, platformën tonë për procesin e dialogut”.






