Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para deputetëve në Kuvend tha se askush nuk mund të diskutojë mbi projektin e pavarësisë së Kosovës të shpallur më 17 shkurt të 2008-ës gjatë procesit të dialogut.
Por, ai u ankua se gjeti një terren shumë të vështirë për të rinisur bisedimet në Washington dhe Bruksel, njofton Klan Kosova.
Hoti kritikoi edhe vendosjen e taksës nga Qeveria Haradinaj dhe reciprocitetin më pas nga Qeveria Kurti, duke thënë se u dëmtuan lidhjet më miqtë e Kosovës.
“Për fat të keq taksa vetëm sa e kurthoi Kosovën në rrugëtimin e saj drejt proceseve integruese dhe kthejë reflektorët e presionit mbi ne. Të gjetur në këtë situatë, pa vullnet politik për të nisur dialogun nga të dyja palët, pa pasë alternativa të reja dialoguese, si dhe me një vullnet anemik të Brukselit për të adresuar mënyrat e zgjidhjes së ngërçit dialogues, faktori amerikan pranoi të jetë jo më arbitër jashtë palëve, por ndihmues kreativ i një procesi të ri, i cili do të prodhojë një marrëveshje përfundimtare paqeje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të kulmojë me njohje reciproke”.
“Për herë të parë Kosova ka interes jetik të përmbyllë konsolidimin e saj në arenën ndërkombëtare, Kosova s’mund të jetë më vetëm palë, por do të jetë insistuese e krijimit të konsensusit ndërkombëtar për të siguruar njohjen reciproke me Serbinë, njohjet e pesë vendeve të BE-së dhe ulësen në OKB”.
“Për realizimin e kësaj duhet të jemi bashkë dhe të vendosur. BE dhe SHBA kanë për qëllim një projekt përfundimtar për njohje reciproke”.
Hoti gjatë fjalimit të tij tha se qeveria e kaluar me veprime populiste nuk pati guximin që ta çojë përpara procesin e dialogut. Ai po ashtu akuzoi Qeverinë Kurti se humbi miqtë ndërkombëtarë përmes barrikadimit.
“Këtë proces të ri dialogues duhet parë si mundësi që bashkë me miqtë tanë që janë sponsorizuesit dhe garantuesit e projektit tonë për pavarësisë sonë ta përparojmë. Largimi i barrierave tarifore nga ana e Qeverisë tonë ishte një veprim i vullnetit të mirë për t’i dhënë shtysë procesit politik. Ne si Qeveri s’besojmë që masat e përkohshme politike që krijojnë barriera ekonomike i zgjidhin mosmarrëveshjet. Problemet politike me Serbinë mund t’i adresojmë vetëm me bazën të koordinuar ngushtë me miqtë tanë”.
Hoti tha se vendimet që i kanë marrë kanë pasë për qëllim që qytetarët të mos paguajnë pasojat e atyre vendimeve me izolim diplomatik dhe financiar. Ai shtoi se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për miqtë ndërkombëtarë në përballjen përfundimtare me Serbinë, siç e quajti ai.