Një takim i nivelit të lartë pritet të mbahet më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ku në prezencën e përfaqësuesve amerikanë, do të përballen palët nga Prishtina e Beogradi zyrtar.
Siç bëri të ditur Richard Grenell, emisar special për dialogun – ky takim i të të dyja palëve, do të ketë temë çështjet me karakter ekonomik, gjë të cilën ditë më parë e kishte raportuar edhe Klan Kosova.
Në takimin i cili konsiderohet historik mes të të dyja palëve, Kosovën do ta përfaqësojë Presidenti vendit Hashim Thaçi si dhe Kryeministri Avdullah Hoti.
Për këtë diskutim i cili është paraparë të mbahet në Washington, Kryeministri Hoti ende nuk ka caktuar me kë pritet të udhëtojë për në Shtëpinë e Bardhë.
”Ende nuk ka emra, por do të jenë kryesisht bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, nuk do jetë staf i gjerë”, ka thënë për klankosova.tv, Xhavit Beqiri nga Kabineti i Kryeministrit.
I pyetur rreth kornizës së diskutimit me të cilët do të paraqitet pala kosovare përballë asaj serbe në takimin e 27 qershorit, nga Qeveria bënë të ditur që temat do të jenë ato për të cilat ka deklaruar Kryeministri Hoti.
”Po temat do jenë ato që ka përmendur Kryeministri Hoti në konferenca, kryesisht do jenë për çështje ekonomike”, ka shtuar Beqiri.
Kryeministri Hoti ditë më parë deklaroi që në Washington do të nis procesi i dialogut për njohje reciproke mes të dyja vendeve.
”Ne shkojmë në këtë takim me qëndrim të qartë të shtetit të Kosovës për të filluar dialogun për njohje reciproke”.
”Ky nuk është dialog për normalizim të marrëdhënieve, normalizimi i marrëdhënieve do të jetë derivat i njohjes reciproke në mes dy vendeve”, ishte shprehur Hoti.
Për këtë takim ditë më parë foli edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ndërsa tha se Kosova është e gatshme për të nisur dialogun, njofton Klan Kosova.
Grenell gjithashtu ka thënë që takimi në Shtëpinë e Bardhë është rast që t’i hapen dyert zhvillimit ekonomik dhe investimeve dhe se shpreson që krerët e Kosovës dhe të Serbisë do ta shfrytëzojnë këtë rast për kthim në dialog.
Vet Grenell, më 15 qershor, përmes një shkrimi në Twitter, ka porositur që në qoftë se ndonjëra palë do të jetë e pakënqur me bisedimet e 27 qershorit, ”gjithçka mund të kthehet në status quo, pas largimit nga Washingtoni”.