Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar marrëveshjen që Kosova ka nënshkruar dje me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për çështjen e energjisë.

Hoti ka thënë Qeveria Kurti ka më së paku merita për arritjen e kësaj marrëveshje. Hoti madje është shprehur se Qeveria Kurti e ka vonuar së paku dy vite realizimin e kësaj marrëveshje.

Ish kryeministri tha se kjo marrëveshje është iniciuar qysh në Qeverinë Mustafa.

“Siç u tha ne e përkrahim këtë marrëveshje. Duhet thënë që Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje, është kjo qeveri që e ka vonuar së paku dy vite realizimin e kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje ka filluar qysh në Qeverinë Mustafa dhe ish-presidentja Jahjaga ka merita të veçanta. Nuk është keq nëse qeveritarët e sotëm reflektojnë dhe e pranojnë shtyrjen e kësaj marrëveshje për së paku dy vite”, tha Hoti në seancën e Kuvendit.

Në seancën e Kuvendit që është duke vazhduar, është futur në rend dite votimi për ratifikimin e Marrëveshjes që Kosova ka nënshkruar me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për çështjen e energjisë.