Lokale - eSIMy

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se rritja e shpenzimeve për 80 për qind e ka dërguar në 566 milion euro koston e lejuar të shpenzimeve të sektorit të energjisë. Megjithatë, ai shtoi se krizën energjetike nuk e ka sjellë kjo Qeveri, por mos veprimet e saja e kanë përkeqësuar gjendjen energjetike në vend.

“Çështja e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike është vërtetë shqetësuese. Krizën energjetike nuk është që e ka sjellë kjo Qeveri, por mosveprimet e kësaj Qeverie e kanë përkeqësuar jashtëzakonisht shumë gjendjen. Shqetësuese po ashtu është fakti që pavarësisht që ZRRE është institucion në vete, kryeministri i vendit ka qenë akteri kryesor në mbështetjen dhe nxitjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. U bënë më shumë se një javë që zyra e rregullatorit ende nuk e ka bërë publik vendimin, sepse rritja e shpenzimeve për 80 për qind e ka çuar në 566 milionë euro koston e lejuar të shpenzimeve të sektorit të energjisë. Nuk është e qartë se çka përfshihet brenda gjithë atyre shpenzimeve kur dihet që ka edhe një subvencionim shumë gjeneroz nga ana e Qeverisë”, tha Hoti raporton Ekonomia Online.

Protestat për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë, për Hotin duken të drejta. Ndërsa kur është pyetur se a do të marrë pjesë LDK-ja në protesta të tilla, ai thotë se vendimi për një gjë të tillë i takon Kryesisë së partisë.

“Tash kauza që është duke ndjekur një parti politike që është jo parlamentare është plotësisht e drejtë. Nuk ka kauzë më fisnike, më qytetare që të kundërshtohet një vendim i tillë me mjete kushtetuese përfshirë edhe protesta për të dalë kundër një vendimi të tillë që është plotësisht i pabazuar. Dhe këtë e kemi kundërshtuar edhe në seancë. Pra nuk kanë lënë derë tjetër përveç protestave. Nuk është që kemi vendim të partisë që ne në baza partiake të ftojmë njerëzit të dalin në protestë. Vendimi i takon Kryesisë së LDK-së, por është kauzë fisnike për të kundërshtuar me mjete demokratike një vendim të tillë”, thotë ai./EO