Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka dënuar sulmin ndaj dy të rinjve shqiptarë që ndodhi në Novi Sad.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Hoti ka thënë se, rrahja e këtyre dy të rinjve vetëm pse po flisnin shqip, tregon qartë se sa tensione ka ende në mes të dy popujve dhe se sipas tij, rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve të të dyja vendeve është ende e gjatë
Hoti ka kërkuar nga Serbia që ti vë para drejtësisë autorët e këtij sulmi.
Reagimi i plotë i Hotit:
Rrahja e dy të rinjve shqiptar në Novi Sad vetëm pse po flisnin shqip tregon qartë se sa tensione ka ende në mes të dy popujve.
Rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve të dy vendeve është e gjatë.
Kërkojmë që Serbia të dëshmoj kundërshtim të fuqishëm ndaj kësaj ngjarje gjenocidiale dhe të mbrojë qytetarët e udhëtarët pa dallim etnie.
Kjo duhet të dëshmohet nga Serbia duke vënë shpejt kryesit e këtij akti përballë drejtësisë dhe siguruar transparencë të plotë të procedurave të ndjekura nga organet e drejtësisë për këtë rast.
Ju uroj djemve tanë shërim sa më të shpejt.






